
Detaje të reja janë bërë publike lidhur me ngjarjen e rëndë të zbuluar në Tiranë, ku dy persona janë arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprave penale që lidhen me abuzimin seksual të një të miture, incestin dhe pornografinë me të mitur.
Ngjarja është zbuluar pas shpërndarjes së materialeve intime të një vajze 12-vjeçare në ambientet e shkollës.
Sipas të njëjtit raportim, e mitura kishte shpërndarë më herët fotografi dhe video intime te disa bashkëmoshatarë. Materialet më pas janë shpërndarë te persona të tjerë, duke bërë që vajza të ndihej e bullizuar dhe të kërkonte ndihmë te psikologia e shkollës.
Ajo ka rrëfyer situatën para psikologes, mësueses dhe drejtorit të shkollës, çka më pas ka çuar në zbardhjen e detajeve të tjera të ngjarjes.
Në vijim të rrëfimit të saj, autoritetet kanë dalë te një i afërm i vajzës, djali i hallës, një 29-vjeçar me inicialet K.B., i cili është arrestuar nën dyshimet për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me të miturën.
Sipas raportimit, 29-vjeçari ka pranuar marrëdhënien, por është shprehur se ajo ka ndodhur me “dëshirën e të dyve”. Megjithatë, fakti që bëhet fjalë për një 12-vjeçare e vendos çështjen në kuadër të veprave penale të parashikuara nga ligji për mbrojtjen e të miturve.
Ndërkohë, një tjetër person, tezja e të miturës, është arrestuar gjithashtu në lidhje me hetimin.
Nga të dhënat e deritanishme nuk rezulton se ka pasur një marrëdhënie seksuale të kryer nga të tre personat së bashku, siç ishte dyshuar fillimisht. Sipas versionit të raportuar, marrëdhëniet mes të miturës dhe personave të përfshirë kanë ndodhur në rrethana të ndara.
Roli konkret i tezes në ngjarje mbetet pjesë e hetimit dhe pritet të përcaktohet nga provat dhe dëshmitë e administruara nga autoritetet.
Dy personat e arrestuar ende nuk kanë marrë masën e sigurisë nga gjykata.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes, përgjegjësinë e secilit prej personave të përfshirë dhe mënyrën se si janë krijuar dhe shpërndarë materialet intime të të miturës.
Në kushtet kur çështja është ende në hetim, akuzat ndaj të arrestuarve mbeten pretendime të organeve proceduese deri në një vendim përfundimtar të gjykatës./Versus.al

