Një grabitje e pazakontë ka ndodhur në zemër të Firences, në apartamentin e Curias në Piazza Duomo, ku jeton kardinali shqiptar Ernest Simoni, 97 vjeç, së bashku me familjarët e tij.
Autorët kanë hyrë në banesë duke përdorur mjete të posaçme për të çarë murin dhe për të hapur derën e blinduar. Pasi kanë depërtuar brenda, hajdutët kanë kontrolluar dollapët, valixhet dhe kasafortat, duke marrë para cash, sende ari, bizhuteri, medalje dhe një vulë ari. Sipas mediave italiane, vlera totale e dëmit dhe sendeve të vjedhura llogaritet në rreth 30 mijë euro.
Në momentin e grabitjes, kardinali Ernest Simoni nuk ndodhej në Firence. Ai ndodhet aktualisht në Londër, ku ka zhvilluar një takim me Mbretin Charles.
As nipi i tij, Tonin Simoni, dhe as bashkëshortja e këtij të fundit nuk ishin në apartament. Ata ishin larguar rreth orës 13:00 dhe u kthyen rreth orës 23:00, kur zbuluan se banesa ishte grabitur.
Kur hynë në apartament, familjarët gjetën një pjesë të murit të dëmtuar rëndë. Hajdutët kishin përdorur dy daltë, të cilat më pas i kishin lënë në shkallët e pallatit. Pasi hapën derën e blinduar, ata kontrolluan ambientet e banesës dhe lanë gjithçka në rrëmujë.
Pavarësisht ndërhyrjes që duket se ka kërkuar kohë dhe zhurmë, askush në pallat nuk kishte konstatuar diçka të dyshimtë. As fqinji që jeton në katin poshtë nuk kishte dëgjuar apo vënë re ndonjë gjë.
“Jemi të tronditur nga ajo që ka ndodhur. Ndiheshim të sigurt. Mund të prisnim gjithçka, përveç faktit që hajdutët të arrinin të bënin një shkatërrim të tillë në Piazza Duomo, ndoshta edhe në mes të ditës. Ajo që ka ndodhur është një turp për qytetin”, tha Tonin Simoni.
Pas denoncimit, në vendngjarje mbërritën karabinierët, ndërsa ekspertët kriminalistikë kryen këqyrjen e apartamentit për të gjetur gjurmë që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.
Hetuesit kanë nisur gjithashtu analizimin e pamjeve të kamerave të sigurisë, pasi zona e Piazza Duomo është e pajisur me një numër të madh kamerash.

“Piazza Duomo është zona më e mbikëqyrur e Firences. Është e pabesueshme që kanë arritur të bëjnë diçka të tillë pikërisht këtu”, u shpreh nipi i kardinalit.
Tonin Simoni tregoi gjithashtu se familja nuk kishte mundur të flinte pas grabitjes.
“S’kemi fjetur. Kaluam natën duke sistemuar gjithçka dhe më pas qëndrova në një karrige, pasi dera nuk mund të mbyllej”, tha ai.
Sipas tij, autorët mund të kenë pasur informacion paraprak për lëvizjet e familjes dhe grabitja mund të mos ketë qenë e rastësishme.
“Me siguri, kush e ka bërë një gjë të tillë nuk ka goditur rastësisht. Na kanë mbajtur nën vëzhgim dhe e dinin që nuk ishim në shtëpi”, deklaroi Tonin.
Mes sendeve të marra nga banesa ka edhe objekte me vlerë të vogël, madje edhe një kabllo e vjetër e një PlayStation-i, që i përkiste periudhës kur fëmijët e Toninit ishin të vegjël.
Por një prej sendeve që ka ngritur më shumë pikëpyetje është karta e qëndrimit të kardinalit Ernest Simoni, e cila mbahej në një sirtar.
“Vjedhja e këtij dokumenti është mjaft e çuditshme. Përveçse nëse kanë ndërmend ta falsifikojnë”, tha nipi i kardinalit.
Në total, mes parave cash, sendeve prej ari, bizhuterive të bashkëshortes së Toninit, medaljeve dhe një vule ari, vlera e grabitjes llogaritet në rreth 30 mijë euro.
Megjithatë, reagimi i parë i kardinalit Ernest Simoni, pasi u njoftua për grabitjen, nuk lidhej me paratë apo sendet me vlerë.
Shqetësimi i tij kryesor ishin statujat fetare që mbahen në dhomën e tij, një ambient që i ngjan një kapelë të vogël.
“Pyetja e tij e parë ishte nëse hajdutët kishin dëmtuar statujat fetare që ruhen në dhomën e tij. Më pyeti: ‘Statujën e Zonjës së Medjugorjes e kanë lënë? Po statujën e Padre Pios?’”, tregoi Tonin.
Kur nipi e siguroi se të gjitha statujat ishin në vend dhe nuk ishin dëmtuar, kardinali Simoni u përgjigj me qetësi:
“Atëherë, s’ka ndonjë problem të madh.”


