Muli i kënaqur nga shpjegimet e Doktorit për 6 milionë dollarët e vizës

18 Shtator 2026, 18:06Antena TEMA

Pas intervistës së djeshme të Doktorit në “Opinion”, Muli është më i qetë. Doktori e shpjegoi qartë se 6 milionë dollarët për avokatët që i siguruan vizën i ka paguar një biznesmen tropojan në SHBA, të cilin nuk do ta identifikojë, por, për lehtësi komunikimi, po e quajmë me pseudonimin “Valbona”. Pastaj, marrëdhëniet publike për këtë ia ka mbuluar një tjetër personalitet nga Tropoja, të cilit, për lehtësi, po i vëmë pseudonimin “Shkëlzeni”.

Këta të dy kanë operuar financiarisht dhe në rrugë diplomatike që lekët të mbërrinin në vendin e duhur dhe Doktori të merrte vizë, edhe pse nuk iu hoq “non grata”.

– Unë shpëtova, – i tha Lelos. – Tani “Valbona” dhe “Shkëlzeni” të bëjnë ç’të duan. Doktori më nxori nga sikleti që i kam nisur unë lekët nga PD-ja. Sa të jetë Trumpi, nuk ua mban këtyre të SPAK-ut të hetojnë këtu. Malin e Tiranës edhe mund ta hetojnë, por dërgesat e mia nga PD-ja s’i prekin dot, se s’kanë bythë.

– Ky është lajm i mirë, – tha Lelo. – Tani edhe “La Civita” ka marrë 6 milionë dhe ata të tjerët kanë marrë 6 milionë? Si i bie kjo?

– Nuk e di, por ne 6 milionë kemi shpallur kontratën e “La Civita”-s, por ajo qe për fushatë. Ai e bëri të vetën, na e nxori në telefon atë gruan që e uruam nga mitingu. Nuk është pak ajo. Kurse ky 6-milionëshi tjetër është punë e “Valbonës” dhe “Shkëlzenit”.

– E kuptova, – tha Lelo. – Domethënë, kjo nuk i dihet sa është fiks, por, sado të jetë, ia ka vlejtur. Të paktën tani Doktori vdes i qetë, se e takoi edhe një herë Ludovikun në Teksas.

– Kjo është e vërtetë, – tha Muli. – Të gjithë atë ëndërronim. Të shkelte edhe një herë ai burrë në SHBA. Pastaj s’duam as pushtet, as bukë, as ujë.

– Këtë mos e thuaj më, – tha Lelo, – se na ikin edhe këta të Foltores që kanë mbetur. Tani duhet thënë që Doktori do të shkojë çdo tre muaj në SHBA, se do të bëjë letrat të vdesë atje. Vetëm kështu mund t’i mobilizojmë. Por puna është se s’i kanë dhënë vizë Teta Lilit dhe nuk rri dot vetëm.

– Do ta rregullojmë edhe atë, – tha Muli. – Tani që e morëm vesh sa lekë duhen, nuk ka gjë që s’bëhet.

Lini një Përgjigje