Një përleshje fizike mes dy pasagjerësh ka shkaktuar momente paniku në bordin e një avioni që po udhëtonte drejt Londrës, ndërsa pasagjerët e tjerë, përfshirë fëmijë dhe të moshuar, u përballën papritur me situatën.
Ngjarja ndodhi të mërkurën në një fluturim të Biman Bangladesh Airlines nga Sylhet drejt Londrës. Një video e filmuar nga një pasagjer tregon momentin kur dy burrat përfshihen në konflikt dhe shkëmbejnë goditje brenda kabinës.
Sipas një prej udhëtarëve në avion, Uddin Alim, ajo që ndodhi ishte një “situatë e tmerrshme”. Ai tha se pasagjerët e tjerë nuk kishin asnjë përfshirje në konflikt, por u gjendën përballë frikës dhe tensionit të krijuar nga dy burrat.
Alim nënvizoi se episodi ishte veçanërisht shqetësues për shkak se ndodhi gjatë fluturimit, në lartësi të madhe, kur pasagjerët nuk kishin mundësi të largoheshin nga zona ku po zhvillohej përleshja.
Nga pamjet e publikuara duket se konflikti nis kur njëri prej burrave, i veshur me të zeza, godet pasagjerin që ndodhej pas tij. Brenda pak çastesh, situata përshkallëzohet dhe dy burrat përfshihen në një përleshje fizike, ndërsa udhëtarët përreth i shohin të alarmuar.
Ekuipazhi i avionit ndërhyri për t’i dhënë fund konfliktit. Një zëdhënës i Biman Bangladesh Airlines konfirmoi se situata u “zgjidh” gjatë fluturimit, pa dhënë detaje të tjera mbi mënyrën se si u menaxhua incidenti.
Ende mbetet e paqartë se çfarë shkaktoi përplasjen mes dy pasagjerëve. Nuk dihet gjithashtu nëse ndonjëri prej tyre ka pësuar dëmtime apo nëse ndaj tyre janë marrë masa pas mbërritjes në Londër.
Kompania ajrore nuk ka bërë të ditura të tjera hollësi rreth incidentit.














