
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP, nuk arriti të përfundonte brenda afatit ligjor procedurën e verifikimit të kandidatëve për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa procesi është bllokuar prej disa javësh nga një seri kërkesash për përjashtimin e anëtarëve të Këshillit për shkak të pretendimeve për konflikt interesi.
Në mbledhjen plenare të së premtes, më 18 shtator, pas kërkesave të përsëritura të anëtares Ledina Riza, Këshilli ra dakord që administrata t’i dërgonte Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, deklaratat e pasurisë së pesë kandidatëve për verifikim.
Procedura për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm u fut në ngërç pas kërkesës së kandidatit Ylli Pjetërnikaj për përjashtimin e anëtarit Vatë Staka nga procesi i vlerësimit të aplikantëve, me pretendimin se ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit.
Kërkesa e Pjetërnikajt u pasua nga një seri kërkesash të anëtarëve të KLP-së për përjashtimin e njëri-tjetrit, duke e bërë të pamundur në disa mbledhje krijimin e kuorumit të nevojshëm për vendimmarrje.
Edhe mbledhja e së premtes u dominua nga përplasjet procedurale.
Fillimisht, Këshilli rrëzoi kërkesën e anëtarit Zeqir Hoda për përjashtimin e kolegut Sokol Stojani nga shqyrtimi i një kërkese të Vatë Stakës për përjashtimin e vetë Hodës.
Kur Këshilli kaloi në shqyrtimin e kërkesës së Stakës, Hoda paraqiti gjerësisht argumentet e tij kundër saj. Pas përfundimit të qëndrimit të Hodës, Staka kërkoi që ai të përjashtohej jo vetëm nga shqyrtimi i çështjes konkrete, por nga e gjithë procedura e vlerësimit të kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm.
Anëtarët e tjerë kërkuan kohë për t’u njohur me argumentet e Hodës dhe kërkesën e re të Stakës, duke e shtyrë sërish vendimmarrjen.
Në fund të mbledhjes, anëtarja Ledina Riza ngriti shqetësimin se deklaratat e pasurisë së kandidatëve nuk i ishin dërguar ende ILDKPKI-së për verifikim, megjithëse afati 45-ditor kishte përfunduar. Riza e kishte ngritur të njëjtin shqetësim edhe në mbledhjet e mëparshme.
Komisioni i Zhvillimit të Karrierës në KLP, i ngarkuar me procedurën, drejtohet nga Vatë Staka – pikërisht anëtari për të cilin Pjetërnikaj ka kërkuar përjashtimin. Kërkesa ndaj Stakës nuk është shqyrtuar ende dhe, për pasojë, komisioni nuk ka mundur të vijojë procedurën.
Për të zhbllokuar të paktën verifikimin e pasurisë, Këshilli ra dakord që deklaratat e kandidatëve t’i përcilleshin ILDKPKI-së drejtpërdrejt nga administrata e KLP-së.
Gjatë mbledhjes u bë e ditur gjithashtu se kandidatja Arta Marku ka kërkuar përjashtimin e anëtarit Sokol Stojani nga procesi i vlerësimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve.
Pesë kandidatë janë në garë për një mandat shtatëvjeçar si Prokuror i Përgjithshëm: prokurori i SPAK, Adnan Xholi; ish-Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, aktualisht prokurore pranë Prokurorisë së Apelit Tiranë; prokurorja pranë Eurojust, Fatjona Memçaj; prokurorja e Tiranës, Rovena Zoto; si dhe prokurori Ylli Pjetërnikaj, aktualisht pedagog i brendshëm pranë Shkollës së Magjistraturës.






