
Profili i një punonjësi të Gjendjes Civile, i cili kishte dalë në pension prej tre vitesh, dyshohet se është përdorur për të kryer 45 ndryshime identitetesh në sistemin online të Gjendjes Civile.
Bëhet fjalë për Pandeli Shirokajn, ish-punonjës në Gjendjen Civile në Horë-Vranisht. Sipas dosjes hetimore, Shirokajt i është ndërprerë marrëdhënia e punës pas daljes në pension më 16 qershor 2023, por profili i tij në sistem dyshohet se është përdorur më pas për falsifikimin dhe ndryshimin e të dhënave personale.
Në kuadër të hetimit të Prokurorisë së Tiranës, Gjykata ka vendosur pezullimin nga detyra të Aurel Kotorrit, specialist IT pranë Ministrisë së Brendshme, dhe Orjola Omisë, punonjëse pranë Njësisë Administrative nr. 3 në Tiranë.
Në 7 muaj, të paktën 10 qytetarë, nga 25 prilli i 2025-ës deri në 27 nëntor të atij viti, kanë ndërruar emrin, mbiemrin apo datëlindjen në gjendjet civile ku janë banues, përmes këtij ‘username’ të lënë aktiv edhe pse punonjësi kishte dalë në pension.
Nga hetimet janë zbuluar IP-të e kompjuterëve nga këta persona kanë hyrë në llogarinë e Gjendjes Civile. Vendndodhja e përdoruesve është nga Britania e madhe dhe Shqipëria.
Nga një IP e lokalizuar në Tiranë, është bërë ndërhyrja në sistemin e gjendjes civile për të ndërruar në nëntor të 2025-ës, identitetin e një shqiptari të dënuar për mashtrim, 41-vjecarit Indrit Aliu, alias Kolleshi, në Davis Isaac.
Vlonjati, i cili është shpallur në kërkim për falsifikim të dokumenteve, dorëzoi në zyrën e njësisë 3 një dokument fals si të shtetit të Izraelit për ndryshimin e emrit dhe mbiemrit të tij, dhe përmes tij, arriti që me ndërhyrjen në sistem përmes llogarisë aktive të ish-punonjësit, të marrë identitetin e ri.
Sipas dosjes hetimore, David Issac figuron me kontribute dhe i punësuar në 2 subjekte, Albanian Israel Development & Investment Corporation dhe “Lespipa”, ndërsa rezulton administrator i “Shalomsmile”, klinikë dentare, me 2 punonjës, vetë ai me pagë 153,167 lekë dhe bashkëshortja, nga e cila kishte marrë mbiemrin Kolleshi në 2021-shin.
Me ndryshimin e emrit dhe mbiemrit, automatikisht ndryshoi mbiemër edhe vajza e tij e mitur, e lindur në 2022-shin. Në sistem figurojnë pasaporta të lëshuara me 2 emrat e tij të parë, si dhe certifikatat që dalin nga sistemi gjatë periudhës 2026 e njohin atë me emrin e ri, David Isaac.
Historia e tij është vetëm maja e ajsbergut. Më të njëjtin user janë ndryshuar identitete të personave të tjerë, janë bërë divorce, lidhje martesore, e bashkime familjare
Ndërkohë, me masën e sigurisë “arrest në burg” është shpallur në kërkim Indrit Aliu, i njohur edhe me aliaset Indrit Kolleshi dhe David Isaac.
Sipas dosjes hetimore, Aliu rezulton i dënuar më parë për veprën penale “Mashtrimi me pasoja të rënda”.
Sipas Prokurorisë, Indrit Aliu ka ndryshuar emrin dhe mbiemrin nga Indrit Kolleshi në David Isaac në Zyrën e Gjendjes Civile të Njësisë Administrative Novoselë, Bashkia Vlorë.
Rasti është konstatuar më 27 nëntor 2025, gjatë kontrollit të procedurës së riaplikimit për pasaportë biometrike në Njësinë Administrative nr. 5 në Tiranë. Pas verifikimeve, Zyra e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka rikthyer gjeneralitetet e mëparshme, nga David Isaac në Indrit Kolleshi.
Por më 29 dhjetor 2025 është bërë kërkesë për ndryshimin e vendbanimit, me adresë të re në Njësinë Administrative nr. 3 në Tiranë.
Sipas hetimit, më 13 janar 2026, në këtë njësi administrative janë kryer sërish veprime për ndryshimin e emrit dhe mbiemrit, duke u bazuar në një dokument që pretendohet se është lëshuar nga Ministria e Brendshme e Izraelit.
Në dosje thuhet gjithashtu se punonjësja e Gjendjes Civile, Orjola Omi, dyshohet se ka pranuar dokumentacionin për ndryshimin e emrit, pavarësisht dyshimeve mbi vlefshmërinë e tij.
Rasti më flagrant, është ai i një të riu nga Lezha me mbiemrin Vokkri. Më 2 qershor të 2025-ës, ai ndërroi brenda ditës, së pari mbiemrin, duke e kaluar në Voki, më pas datëlindjen, duke u bërë fiktivisht 1 vit më i vogël, dhe sërish mbiemrin, duke kaluar në Malaj. Për të njëjtin janë bërë edhe veprime të tjera, duke u bashkuar në një certifikatë familjare me dy pjesëtarë me mbiemrin Malaj./Versus.al

