Ndryshojnë rregullat për zhdoganimin e automjeteve në Shqipëri. Administrata Doganore ka miratuar një manual të ri për mënyrën se si do të përcaktohet vlera doganore e makinave, duke futur për herë të parë edhe kilometrat e përshkuara si një nga elementet që do të merret në konsideratë.
Rregullat e reja vlejnë për automjetet e prodhuara gjatë 10 viteve të fundit, por jo në çdo rast. Sipas Doganave, manuali përdoret vetëm kur nuk mund të aplikohet metoda e vlerësimit mbi bazën e çmimit të transaksionit, në përputhje me nenet 66-69 të Kodit Doganor.
Në këto situata, autoritetet do të mund t’i referohen edhe çmimeve reale të automjeteve të publikuara në burime online dhe buletine të specializuara, të përcaktuara në manual.
Një nga ndryshimet kryesore është marrja në konsideratë e kilometrazhit. Numri i kilometrave që ka përshkuar automjeti deri në momentin e zhdoganimit do të analizohet së bashku me karakteristikat e tjera teknike dhe gjendjen e mjetit, duke ndikuar në përcaktimin e vlerës së tij.
Të dhënat nga burimet online do të përdoren vetëm pasi të jenë shqyrtuar metodat e tjera të vlerësimit, të cilat zbatohen sipas një rendi të përcaktuar nga 1 deri në 5.
Ndërkohë, për automjetet më të vjetra se 10 vite, mënyra e vlerësimit nuk ndryshon me manualin e ri.
Administrata Doganore thotë se qëllimi i ndryshimeve nuk është rritja e të ardhurave nga zhdoganimi, por një vlerësim më objektiv i automjeteve, duke marrë parasysh jo vetëm markën, vitin e prodhimit, cilindratën dhe llojin e karburantit, por edhe kilometrat e përshkuara.
Sipas Doganave, kjo synon që automjetet e së njëjtës kategori të mos trajtohen në mënyrë të njëjtë kur kanë diferenca të konsiderueshme në përdorim dhe kilometrazh.













