Koleksionuar ndër vite nga specialisti i kulturës Stefan Arseni dje janë ekspozuar në lagjen e parë të qytetit të gurtë. Janë 101 vepra arti që mbajnë autorësinë e 46 artistëve shqiptarë të cilat sot Arseni i prezanton për publikun gjirokastrit e vizitorët e vjeshtës në rrugicat e lagjes “Pazari i Vjetër, ku është lindur e vazhdon të jetojë.
“Janë të teknikave të ndryshme: ka pikturë, ka skulpturë. Është një lloj pasioni dhe këtë pasion unë jam munduar që ta ushqej, duke grumbulluar punë nga të gjitha anët. Nuk janë vetëm nga autorë gjirokastritë, por ka autorë nga i gjithë vendi, si dhe nga Kosova”, u shpreh koleksionisti Stefan Arseni.
Miq, bashkëpunëtorë të tij, artistë, por edhe turistë vlerësuan pasionin e tij për të bukurën dhe artin, duke e cilësuar çeljen e kësaj ekspozite një ngjarje të pazakontë për Gjirokastrën.
“Ky koleksion është shumë i pasur. Është shumë i pasur, sepse ka gjini të ndryshme, si piktura dhe skulptura, si dhe teknika të ndryshme. Kemi pikturën me bojëra vaji, kemi akuarelin, vizatime, grafikë, pastel. Kemi peizazhe, kemi figura”, tha Edi Kojani, piktor.
Stefan Arseni është prej të paktëve që filloi të koleksiononte që para viteve 90.Ai ka punuar gjithë jetën në institucione kulturore artistike, duke mbajtur pozicione drejtuese si në pallatin e kulturës Tepelenë, drejtor i bibliotekës në Gjirokastër, drejtor i teatrit “Zihni Sako” dhe inspektor kulture në Komitetin Ekzekutiv. Edhe pse zyrtarisht është shkëputur nga puna prej afro 3 dekadash Arseni vazhdon të jetë aktiv duke dhënë kontributin e tij në gjallërimin e jetës kulturore e artistike të Gjirokastrës. A.K./TemA
Lini një Përgjigje