Celebrities Lancio Music

“Nga traumat te dashuria…”/ Algert Sala zbulon nga buron frymëzimi për këngët e tij: Kur jam i mërzitur…

I ftuar në emisionin “Lancio” me David Priftin ka qenë Algert Sala. Artisti i njohur ka zbuluar më shumë detaje rreth projekteve të tij muzikore, fillimeve të karrierës dhe planeve për të ardhmen.

Kantautor, kompozitor dhe autor tekstesh, Algerti krijon jo vetëm për veten, por edhe për artistë të tjerë. Gjatë intervistës, ai u ndal te procesi i krijimit dhe mënyra se si përvojat personale shndërrohen në muzikë.

I pyetur nga Davidi se nga e merr frymëzimin kur krijon, artisti tregoi se procesi nuk është gjithmonë i njëjtë dhe shpesh lidhet me emocionet që përjeton.

Pjesa e procesit të krijimit me inspirimin tim është pak e çuditshme, sepse jo gjithmonë është njësoj. Varet gjithmonë nga ndjesia dhe ndonjëherë duhet të futem pak më tepër, më thellë, nëse është prej vuajtjes që mund të kem përjetuar.

Por a janë historitë që sjell në këngë personale? Algerti pranoi se frymëzimin përpiqet ta gjejë pikërisht te jeta e tij, njerëzit që e rrethojnë dhe përvojat e përditshme.

Po. Përpiqem që ta marr frymëzimin nga jeta ime, nga rrethi shoqëror, nga përditshmëria, nga traumat. Dashuria është kthyer pak primare në pjesën e krijimtarisë, në fakt, për shumë artistë dhe personalisht kam shkruar shumë për dashurinë, por jam munduar të devijoj pak dhe t’i tjetërsoj jo tematikat, por kuptimin dhe t’i sjell në një formë që të tingëllojë diçka më ndryshe dhe të mos bëhet e mërzitshme për njerëzit.

I pyetur nëse frymëzohet më shumë kur është i lumtur apo kur është i mërzitur, Sala zbuloi se pikërisht momentet e vështira e shtyjnë më shumë drejt krijimtarisë.

Më shumë kur jam i mërzitur, sepse kërkoj që t’i jap zgjidhje në ato momente ndonjë situate që mund të më ketë mërzitur dhe, nga një mesazh që mund të kërkoj zgjidhjen, përfundoj me një tekst kënge.