Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

EKSKLUZIVE/ “Çështja Becchetti” shtrihet në Itali, autoritetet nisin hetimet për biznesmenin italian! Takim në Romë mes palës shqiptare dhe italiane, në dosje përfshihet edhe Eurojust

Shkruar nga Newsbomb
EKSKLUZIVE/ “Çështja Becchetti” shtrihet në Itali,

“Do të marrë zero lekë nga buxheti i shtetit shqiptar”, kështu deklaroi një natë më parë në Kuvend kreu i qeverisë, Edi Rama, sa i përket çështjes së biznesmenit italian Francesco Becchetti. Në një kohë kur partitë opozitare nuk lënë çështje dhe deklaratë pa e përmendur atë që tashmë njihet si “çështja Becchetti”, një deklaratë e bërë nga Rama në sallën e Kuvendit ka shkaktuar jo pak reagime.

Kryeministri përgënjeshtroi pretendimin se biznesmeni italian, Francesco Becchetti, do të përfitojë 100 milionë euro nga shteti shqiptar, pas vendimit të arbitrazhit. Nga foltorja e Kuvendit, Rama deklaroi se Becchetti do të marrë zero lekë nga shteti shqiptar dhe se do të përballet me drejtësinë.

E pas kësaj deklarate të bërë nga kreu i qeverisë, Newsbomb ka mësuar se “hallet” e biznesmenit italian me drejtësinë nuk kanë përfunduar. Përpos përballjes me drejtësinë shqiptare, tashmë është pala italiane ajo që e ka vendosur Francesco Becchettin nën lupën e autoriteteve të saj.

Newsbomb mëson ekskluzivisht se hetimet ndaj biznesmenit italian janë shtrirë edhe në Itali, ku dyshohet se autoritetet kanë nisur verifikime lidhur me një çështje mashtrimi. Bëhet fjalë për një zhvillim që e zhvendos një pjesë të dosjes përtej kufijve të Shqipërisë, duke e vendosur Becchettin përballë një tjetër procesi verifikimi nga autoritetet italiane.

Sipas burimeve të Newsbomb, rreth dhjetë ditë më parë është zhvilluar në Romë një takim mes palëve shqiptare dhe italiane, ku janë diskutuar elementë dhe dokumentacion që lidhen me çështjen. Pala shqiptare, mësohet se ka vënë në dispozicion të palës italiane dosje dhe materiale të administruara gjatë proceseve dhe hetimeve të zhvilluara në Shqipëri.

Homologët italianë dhe ata shqiptarë kanë shkëmbyer informacion dhe dokumentacione, në kuadër të bashkëpunimit institucional dhe hetimor. Në Romë ka pasur gjithashtu përfshirje të strukturave europiane të bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, përfshirë Eurojust.

Detaje të tjera mbi natyrën e plotë të hetimit dhe veprat penale që mund të jenë objekt verifikimi nuk janë bërë ende zyrtarisht publike. Megjithatë, informacionet e siguruara nga Newsbomb tregojnë se çështja nuk është më e kufizuar vetëm brenda juridiksionit shqiptar.

Çfarë deklaroi Rama dje në Kuvend:

Meqë më doli emri, një saktësim. Nuk kam thënë nuk e njoh vendimin e arbitrazhit, kam thënë, ai subjekti që e fitoi atë çështje, do marrë zero lekë nga shteti shqiptar. Pavarësisht se partia juaj tha se ai mori 100 milionë euro, dua t’iu informoj, se ai ka marrë zero lekë nga shteti shqiptar, si shumë të tjerë, që kur kapen mbas Shqipërisë, padrejtësisht, pastaj për një arsye ose tjetër nuk i shkon mbarë jeta, ai sot që flasim, subjekti së bashku me një apo dy nga arbitrat përkatës, do përballen me drejtësinë.

Më herët sesa vonë, të gjitha lekët që janë mbajtur padrejtësisht të ngrira, duke ia marrë Albcontrol do i kthehen shtetit shqiptar. Koha kur lloj lloj kriminelësh dhe legenash mund t’i merrnin Shqipërisë çfarë të donin, ka ikur. Ai do marrë zero lekë nga shteti shqiptar, këtë kam thënë unë. Ne kemi ndjekur rrugën ligjore, jemi në disa procese me subjektin në fjalë. Ka edhe proces penal jashtë Republikës së Shqipërisë. Për fatkeqësinë tuaj që keni shpërndarë atë lajm, ai do marrë zero lekë nga shteti shqiptar. Të gjitha lekët e mbajtura të ngrira, do kthehen në Shqipëri më herët sesa vonë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese