Një prej sekretares së klinikës ku humbi jetën këngëtari grek Giorgos Mazonakis ka dhënë dëshminë e saj për orët para ngjarjes tragjike, duke përshkruar mbërritjen e artistit, situatën në klinikë dhe mënyrën se si funksiononte aparatura elektrofiziologjike që përdorej për ekzaminimet.
Sekretarja, e cila punonte për mjekun 58-vjeçar Ilias Theodoropoulos, tha se e kishte parë dhe përshëndetur Mazonakisin kur ai mbërriti në klinikë, rreth orës 14:00-14:30. Sipas saj, gjithçka ishte e qetë deri në momentin kur ajo u largua, pak pas orës 15:18.
“Po, e përshëndeta. Unë u largova në orën 15:18-15:25, siç kam thënë edhe në dëshminë time, ndërsa Mazonakis, siç kam thënë, ka ardhur në klinikë në intervalin 14:00-14:30. Nuk e mbaj mend saktësisht orën”, deklaroi ajo në një intervistë për “Mega”.
Sekretarja tregoi se këngëtari kishte takuar edhe një person tjetër të njohur në ambientet e klinikës dhe ishte përshëndetur me të, ndërsa më pas ajo u largua nga puna.
“Sigurisht që e pashë. Sigurisht që e përshëndeta, e mirëprita dhe më pas, pak më vonë, ai pa edhe një person tjetër të njohur brenda klinikës dhe u përshëndetën. Me sa duket, ai person ka dhënë tashmë dëshminë e tij”, tha ajo.
Sipas saj, në momentin kur u largua, mjeku ndodhej i shtrirë në divanin e sallonit dhe po pushonte.
“Deri në momentin që u largova, gjithçka ishte e qetë. Mjeku 58-vjeçar ishte shtrirë në divan dhe po pushonte, rreth orës 15:20”, rrëfeu sekretarja.
Ajo foli edhe për listat e takimeve në klinikë, duke shpjeguar se oraret e pacientëve fshiheshin pasi takimi përfundonte.
“E dija që do të vinte. Nuk ishte në orarin e turnit tim. Ka lista, por kur realizohej takimi, në fund të ditës, gjithmonë i fshinim. Gjithmonë. Ai kishte ardhur edhe më parë, shumë vite më parë”, tha ajo, duke shprehur edhe keqardhjen për vdekjen e këngëtarit.
Një pjesë e rëndësishme e dëshmisë së saj lidhet me aparaturën elektrofiziologjike të klinikës dhe të dhënat që ruheshin në të.
Sipas sekretares, aparatura ruante historikun e ekzaminimeve dhe të dhëna personale të pacientëve, përfshirë emrin, mbiemrin, datëlindjen, numrin e telefonit, gjatësinë dhe peshën.
“Ekziston një historik në aparaturën ku kryhet ekzaminimi, kontrolli elektrofiziologjik. Aty ruhej i gjithë databaza, emri dhe mbiemri, data e lindjes, numri i telefonit, gjatësia dhe pesha. Nuk i ruanim askund tjetër”, shpjegoi ajo.
Sekretarja tha se kishte ndodhur që të hapte historikun gjatë një kontrolli, ndërsa theksoi se nuk kishte dijeni për funksione të tjera të sistemit përtej përdorimit të tij në klinikë.
Ajo hodhi poshtë gjithashtu idenë se aparatura mund të fshihej lehtësisht.
“Por aparatura, në asnjë mënyrë, nuk ishte diçka që mund të fshihej. Ekzistonte një faqe interneti që e reklamonte nga këtu deri në Australi. Nuk është një aparaturë e vogël që e vendos në xhep dhe e fsheh”, deklaroi ajo.
Në dëshminë e saj, sekretarja përshkroi edhe momentet para largimit nga klinika. Sipas saj, një pacient tjetër kishte një takim rreth orës 15:30 dhe mjeku ishte shtrirë për të pushuar përpara takimit të radhës.
“Ishte shtrirë në divan, me sytë mbyllur për pak. Unë hapa derën, por për shkak të zhurmës që bëjnë dyert kur aktivizohet alarmi, ai e dëgjoi, hapi sytë. E përshëndeta dhe, madje me zë të ulët, i thashë: ‘Mirupafshim, gjithë të mirat’, dhe ika”, rrëfeu ajo.
Ajo shtoi se në atë moment në klinikë kishte edhe një grua tjetër dhe se atmosfera ishte e qetë.
Sekretarja foli edhe për largimin e mjekut për të ngrënë. Sipas saj, ai ishte larguar rreth orës 14:00, pasi ajo i kishte rezervuar një tavolinë, dhe ishte kthyer në klinikë pak para orës 15:00.
“Shkoi të hante në orën 2. Unë i kisha rezervuar tavolinën që të shkonte të hante. Shkoi, hëngri. Duhet të jetë larguar rreth orës tre pa pak, tre pa dhjetë, ose tre. U kthye në klinikën e tij”, tha ajo.
Pas kthimit, sipas dëshmisë së sekretares, mjeku u shtri në divanin qendror të sallonit për të pushuar, pasi nuk kishte pacientë të tjerë në atë moment.
Në fund të dëshmisë, ajo përmendi edhe një veprim që i ishte dukur i pazakontë në klinikë. Sekretarja tha se mund të bëhej fjalë për një procedurë rutinë pas largimit të pacientëve, por nuk përjashtoi mundësinë që veprimi të ishte kryer mekanikisht për shkak të stresit dhe konfuzionit të krijuar pas ngjarjes.
“Kjo ishte vërtet shumë e çuditshme. Po, mund të jetë një procedurë e zakonshme që vajzat e bëjnë para se të mbyllin klinikën, para se të largohen ose kur largohet një pacient, si një lloj sterilizimi. Por tani, ose e kanë bërë mekanikisht, nuk e kam diskutuar me to. Unë, me mendjen time, them se ose e kanë bërë mekanikisht, automatikisht, nën stresin dhe konfuzionin absolut të atij momenti, ose nëse ua kanë thënë mjekët, këtë nuk e di”, përfundoi ajo.
Dëshmia e sekretares është pjesë e hetimeve për të zbardhur rrethanat e vdekjes së Giorgos Mazonakis, ndërsa deklaratat e saj për oraret, aparaturën dhe veprimet në klinikë përfaqësojnë versionin e saj mbi atë që ka parë dhe përjetuar.


