E ardhmja politike në dyshim, Merz nën presion pas humbjes së CDU-së

E ardhmja politike e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, është tashmë në pikëpyetje pas humbjes në zgjedhjet në Saksoni-Anhalt të CDU-së
Mediat gjermane raportojnë se mbështetja për qeverinë është në rënie të ndjeshme, ndërsa Merz është përballë kritikave të forta. Po ashtu, CDU-ja po përballet me rezultate të dobëta edhe në sondazhet për zgjedhjet në Meklenburg-Pomeraninë Perëndimore.
Brenda CDU-së janë ngritur kritika për mënyrën e komunikimit të Merz-it dhe për reformat e vështira, ndërsa edhe partneri i koalicionit, SPD-ja, ka shprehur shqetësim lidhur me tensionet brenda forcës politike të kancelarit.
Si pasues të mundshëm përmenden Markus Söder, drejtues i Bavarisë dhe lider i CSU-së, dhe Hendrik Wüst, kryeministri i Rinit Verior-Vestfalisë. Megjithatë, deri tani asnjë rival nuk e ka sfiduar publikisht Merz-in. Tetë kryeministra të landeve të drejtuara nga CDU-ja kanë riafirmuar mbështetjen për të.
Sipas zërave që qarkullojnë në qarqet politike të Berlinit, Merz synon të mbledhë komitetin ekzekutiv të CDU-së në Berlin të dielën në mbrëmje, sapo të bëhen të ditura rezultatet e zgjedhjeve në landin e Meklenburg-Pomeranisë Perëndimore.
Ai planifikon t’i shtrojë komitetit pyetjen nëse gëzon ende besimin e partisë së tij apo jo. Për këtë arsye, ka anuluar një udhëtim të planifikuar prej kohësh drejt Nju Jorkut, ku duhet të merrte pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.




