Protesta për ish-krerët e UÇK-së, gazetari: Akuza ndaj Gërvallës se ka dërguar dosje në Hagë

18 Shtator 2026 | 20:34

Në Kosovë vijojnë protestat mbarëpopullore, 48 orë pas vendimit të shkallës së parë të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga Prishtina, korrespondenti i Euronews, Xhemajl Rexha, në lidhje direkte me gazetaren Mirela Milori, raportoi se një numër i madh qytetarësh iu përgjigjën thirrjes së shoqatave të dala nga lufta, duke shprehur solidarizimin me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Sipas tij një prej çështjeve të ngritura gjatë protestës ishte edhe ajo që lidhet me ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla e cila është akuzuar publikisht se ka dërguar dokumente në Gjykatën Speciale në Hagë, pretendim që është përsëritur ndër vite nga përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës. Xhemajl Rexha sqaroi se kjo çështje lidhet me një deklaratë të mëparshme të Gërvallës, ndërsa theksoi se nuk është provuar nëse ajo ka dërguar dokumente, çfarë dokumentesh kanë qenë dhe nëse ato kanë pasur lidhje me rastin e katër ish-krerëve të UÇK-së.

“E ka thënë vetë në një intervistë të para disa viteve në televizionin Dukagjini, kur ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, zonja Gërvalla, dhe nuk ishte aleate me zotin Kurti dhe me Vetëvendosjen. Kishte thënë vetë në një intervistë, është në YouTube me zë dhe me figurë, ministrja aktuale e Drejtësisë, ishte ministre e Jashtme, duke thënë se ka grumbulluar dosjet dhe i ka çuar në Gjykatën Speciale. Asaj i pëmendet vazhdimisht, sepse ajo, me veprimtarinë e saj në Lidhjen Demokratike të Kosovës, gjithmonë ka bërë thirrje që të zbardhen rastet e vrasjes së veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të aktivistëve të partisë së themeluar nga presidenti historik i Kosovës, doktor Ibrahim Rugova, vrasjet që kanë ndodhur gjatë periudhës së luftës, por edhe pas periudhës së luftës”, tha gazetari.

Megjithatë, Xhemajl Rexha theksoi se nuk është vërtetuar asnjëherë nëse Gërvalla ka dërguar dosje në Hagë dhe se çfarë kanë përmbajtur ato, nëse një gjë e tillë ka ndodhur.

“Nuk është provuar asnjëherë. Në fakt edhe zonja Gërvalla ka tentuar që ta shmangë këtë diskutim shumicën e kohës. Nuk është vërtetuar asnjëherë nëse vërtetë ka çuar dosje dhe çfarë ka çuar, edhe nëse i ka çuar, pra çfarë kanë përmbajtur ato për ndonjë rast të caktuar apo jo, asnjëherë nuk është sqaruar”, tha ai.

Vetë Donika Gërvalla ka tentuar ta sqarojë deklaratën e saj të mëparshme, duke mohuar se ka thënë që ka dërguar dosje në Gjykatën Speciale.

“Unë nuk kam thënë që kam dërguar dosje në Gjykatën Speciale”, ka thënë ajo.

Në protestë u kërkua gjithashtu mbështetje më e madhe për mbrojtjen e katër ish-krerëve të UÇK-së në procesin e apelit, ndërsa u dëgjuan thirrje se ata janë çlirimtarë dhe heronj të Kosovës. Në tubim morën pjesë në masë të madhe përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës, ndërsa, sipas Xhemajl Rexhës, nuk u panë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Mes kërkesave të protestuesve ishte ndërmarrja e nismave ligjore për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, rritja e ndihmës financiare dhe mobilizimi për mbrojtjen në apel, si dhe bashkëpunimi institucional për këtë proces. Në protestë iu bë gjithashtu thirrje Republikës së Shqipërisë që të ndihmojë në këtë drejtim.

Sipas korrespondentit të Euronews, protestat pritet të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa në Prishtinë është paralajmëruar një tubim qytetar çdo mbrëmje në orën 21:00 në sheshin “Skënderbeu”. Paralelisht, pritet që partitë politike dhe institucionet e Kosovës të diskutojnë hapat që mund të ndërmerren për procesin e apelit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Konfliktet dhe krimi në rrjetet sociale”, eksperti: Vipat i bëjnë hapur kërcënimet!

I ftuar në studion e Euronews, në një intervistë me gazetaren Mirela Milori, eksperti i kriminalistikës Fatjon Softa komentoi shtimin e sherreve dhe konflikteve që...
20:55 | 10/09/2026

Tirana duhet të “shkëputet” nga qeveria, Braçe: Duhet të iki nga “duart” e saj ekonomikisht

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe i ftuar në Euronews Albania në një intervistë me Mirela Milori, ka deklaruar se disa nga problemet kryesore të...
19:56 | 09/09/2026

“Protesta me elementë fashistë”, Erion Braçe: Liria politike është kushtetuese

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe i ftuar këtë të mërkurë në Euronews Albania në një intervistë me Mirela Milorin ka folur lidhur me ngjarjen...
19:43 | 09/09/2026