Kontrollet e ushqimeve në dogana, Sula: Inspektimi do të realizohet sipas standardeve evropiane

Qeveria ka nisur një aksion për monitorimin e tregut dhe kontrollin e çmimeve, ndërsa Inspektorati i Përgjithshëm paralajmëron një mënyrë të re kontrolli, veçanërisht për produktet ushqimore që hyjnë në vend.
Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, tha në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi se synimi nuk është penalizimi i biznesit, por rritja e standardeve dhe mbrojtja e konsumatorit.
Ai zbuloi edhe një bashkëpunim të ri mes Inspektoratit, AKU-së dhe AKSHI-t për dixhitalizimin e kontrolleve në pikat doganore.
INTERVISTA E PLOTË:
Si do të veproni ose cili është roli juaj në këtë fushatë që duket se ka filluar qeveria?
Sula: Sigurisht, unë do ta përgëzoja këtë nismë të qeverisë dhe të kryeministrit, zotit Rama, sepse tashmë të gjithë e dimë që nuk është një situatë normale, që të jemi të qartë. Pra, është një situatë e detyrueshme për shkak të rrethanave të luftës në Ukrainë, për shkak të rrethanave të situatës globale të furnizimit me gaz, furnizimit me naftë dhe të produkteve e lëndëve djegëse. Kështu që në këto rrethana është e detyrueshme që qeveria të bëjë një ndërhyrje të tillë. Edhe ishte qartësisht qasja që të ketë një fitim minimal për supermarketet dhe t’u vihet në ndihmë të gjitha shtresave në nevojë, të cilat janë në vështirësi ekonomike.
Roli juaj si kryeinspektor i përgjithshëm i Republikës konkretisht si do të jetë? Si do të operoni, çfarë do të bëni në këto kushte?
Sula: Tani duhet të jemi të qartë, roli i inspektoriateve të Republikës së Shqipërisë, në rastin konkret të AKU-së, në bazë të ligjit nëntëdhjetë e nëntë të vitit dy mijë e njëzet e katër dhe të ligjit sektorial me të cilin vepron AKU-ja, ka të bëjë me inspektimin, me cilësinë, me afatet e skadencës dhe problematika të tjera të cilat i mbikëqyrim, kushtet higjienike, higjienën e të gjitha të tjerat, të cilat ndikojnë dhe bëjnë të mundur që subjektet të rrisin standardin e tyre për sa i përket tregtimit të produkteve ushqimore dhe në drejtim të të gjithë blerësve që janë qytetarë shqiptarë.
Në rast se me instrumentet tuaja konstatoni që ka shkelje të këtyre rregullave e rregulloreve të cilat ju i keni në kompetencë, çfarë bën Inspektoriati i Përgjithshëm? Çfarë bëni ju?
Sula: Qasja e kryeministrit, z.Rama, ne si inspektoriat dhe vullneti i qeverisë ka qenë një vullnet që të mos e shikojmë biznesin si armik, por si partner. Këtë e kemi demonstruar plotësisht në territor, duke pasur parasysh nenin 44 të ligjit 99 të vitit 2024, që në radhë të parë ka rëndësi që biznesi të vetërregullohet, të vetëkorrigjohet, ne të paralajmërojmë, ta këshillojmë biznesin dhe t’i japim mundësi biznesit që të korrigjohet. Nuk kemi qëllim ta shikojmë biznesin si armik duke gjobitur, duke pasur sanksione apo masa represive.
Zoti Sula, në vite sigurisht që të gjithë inspektorët e mekanizmat e shtetit gjithmonë janë angazhuar e kanë premtuar se do të luftojnë çdo lloj shkeljeje të ligjit, sigurisht në fushën që flasim. Kjo është një lojë që nuk përfundon asnjëherë, si matja e maces me miun midis shkelësit të ligjit dhe atij që e ruan ligjin sigurisht. Po përse këtë herë duhet të besojmë se qeveria e ka seriozisht, që Inspektoriati i Përgjithshëm do të operojë në mënyrë më serioze, ndryshe nga herët e tjera?
Sula: Të gjithë teleshikuesit e nderuar të Vizion Plus, por edhe të gjithë qytetarët shqiptarë, se Inspektoriati i Përgjithshëm, po ju jap një lajm që është ekskluziv për ditën e sotme për televizionin tuaj: unë si përfaqësues, si kryeinspektor i përgjithshëm i Shqipërisë, bashkë me drejtoreshën, zonjën Gjylameti të AKU-së, bashkë me stafet e tyre dhe stafin tim të ngushtë, si dhe drejtuesin e AKSHI-t, zotin Igli Tafa, kemi pasur një takim rreth tre orësh trepalësh pikërisht me këtë qëllim. Duke pasur parasysh se nga katër produkte të cilat sot importohen në Shqipëri, tre produkte janë nga importi, pikërisht për këtë qëllim, në pikën doganore, në atë që quhet pika e inspektimit, inspektimi do të realizohet shumë shpejt në standardet evropiane online, duke ndërthurur nëpërmjet sistemit Asycuda të doganës dhe sistemit të inspektimit, pikërisht për të rritur standardin e kontrollit të çdo lloj ushqimi që hyn në Republikën e Shqipërisë. Sepse nga 85 mijë inspektime që bëhen në vit nga AKU, 35 mijë inspektime janë vetëm në pikat doganore. Kjo do të thotë se qasja e qeverisë ka të bëjë shumë që qytetarët shqiptarë të kenë standard të lartë në ushqimet që konsumojnë.
/vizionplus.tv




