AKTUALITET /

Protesta e 111-të para Kryeministrisë, qytetarët rikthejnë 5 kërkesat. Dorëheqja e qeverisë, e panegociueshme!

Ndër kërkesat e protestuesve janë edhe ndryshimet kushtetuese dhe ligjore, përfshirë ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe të ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave.

Shkruar nga Versus

Protesta e 111-të para Kryeministrisë, qytetarët rikthejnë 5

Në protestën e 111-të kundër qeverisë, janë rikthyer kërkesat drejtuar qeverisë, duke nisur nga dorëheqja e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë.

Në fjalën e saj para protestuesve, një nga aktivistet përsëriti kërkesën për krijimin e një qeverie teknike, tranzitore dhe jopartiake, me mandat 12-mujor. Kërkesa për dorëheqjen e Ramës është përsëritur edhe gjatë marshimit të protestuesve drejt Kryeministrisë.

Ndër kërkesat e protestuesve janë edhe ndryshimet kushtetuese dhe ligjore, përfshirë ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe të ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave.

“Rikujtojmë edhe njëherë kërkesat e kësaj proteste: dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës dhe të qeverisë. Krijimin e një qeverie teknike, tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor”, tha Lleshi.

Protestuesit kërkojnë gjithashtu ndryshime kushtetuese, të cilat sipas tyre duhet të miratohen përmes referendumit popullor. Në këtë kuadër përfshihet edhe kufizimi i ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate të plota ose të pjesshme gjatë jetës politike të një individi.

Në listën e kërkesave përfshihet edhe anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe në ligjin për trashëgiminë kulturore, si dhe shfuqizimi i paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”.

Lleshi bëri të ditur se protestuesit kërkojnë gjithashtu shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike.

Sipas saj, një tjetër objektiv është hartimi i një “kontrate të re sociale” mes qytetarëve dhe shtetit. Ajo tha se kjo kontratë do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, të rinj dhe qytetarë apolitikë të propozuar nga sheshi i protestës.

Protesta e sotme shënon ditën e 111-të të tubimeve kundër qeverisë në Tiranë. Protestuesit janë mbledhur fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas kanë marshuar drejt Kryeministrisë.

Poll