
Aktivistët kanë njoftuar një tjetër protestë që pritet të zhvillohet nesër në Vlorë, në orën 10:00, kundër projektit për muzeun hebraik.
Në fjalën e tij, një prej aktivistëve tha se grupimi që përfaqëson ka mbështetur gjatë muajve të fundit protestat e banorëve të disa zonave, të cilët kundërshtojnë çështje që lidhen me pronat dhe zhvillimet në territoret e tyre.
“Muajin tjetër mbushet një vit nga lufta jonë për të shpëtuar tokat e rrëmbyera. Muajin tjetër mbushet një vit nga lufta e banorëve të Dukatit. Pastaj dolën banorët e Rrjollit. Më pas shkuam në krah të banorëve të Zvërnecit dhe më pas treguam solidaritet me banorët e Kakomesë”, deklaroi ai.
Duke iu referuar protestës së paralajmëruar në Vlorë, aktivisti tha:
“Nesër banorët e Vlorës na thërrasin për protestë në orën 10:00 kundër muzeut hebraik.”
Ai shtoi se, sipas tij, Vlora duhet të ketë edhe një muze kushtuar historisë dhe popullsisë çame.
“Vlora, përveç Muzeut të Labërisë, ka nevojë dhe për muzeun e popullsisë çame”, u shpreh aktivisti./Versus.al

