AKTUALITET /

30 ditë nga vendimi, Tribunali i Hagës zbulon hapat për Apelin

Mbrojtjet e ish-krerëve të UÇK-së kanë paralajmëruar kundërshtimin e aktgjykimit, ndërsa ekipet e tyre pritet të përcaktojnë zyrtarisht bazat e apelit pasi të kenë marrë aktgjykimin e plotë me shkrim

Shkruar nga Versus

30 ditë nga vendimi, Tribunali i Hagës zbulon hapat për Apelin

Shpallja e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nuk shënon fundin e procesit gjyqësor. Pas vendimit të shkallës së parë, çështja mund të kalojë në shkallën e dytë, nëse palët paraqesin apel.

Mbrojtjet e ish-krerëve të UÇK-së kanë paralajmëruar kundërshtimin e aktgjykimit, ndërsa ekipet e tyre pritet të përcaktojnë zyrtarisht bazat e apelit pasi të kenë marrë aktgjykimin e plotë me shkrim.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara të Kosovës i shpallën të katër të akuzuarit fajtorë për krime lufte që lidhen me ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Veseli me 18 vite, ndërsa Selimi me 13 vite.

Çfarë ndodh nëse paraqitet apel?
Sipas procedurës së Dhomave të Specializuara, pas marrjes së aktgjykimit me shkrim, pala që dëshiron ta kundërshtojë atë duhet të paraqesë njoftimin për apel brenda afatit të përcaktuar nga rregullat e gjykatës.

Në rast se apeli regjistrohet, çështja shqyrtohet nga një panel prej tre gjyqtarësh të shkallës së dytë. Pala që apelon duhet më pas të paraqesë parashtresën e plotë, ku argumentohen shkaqet dhe kërkesat e apelit.

Pala tjetër ka mundësi të përgjigjet ndaj apelit, ndërsa pala që e ka paraqitur atë mund të japë kundërpërgjigje. Gjatë procedurës mund të paraqiten edhe kërkesa të tjera me shkrim, përfshirë kërkesa lidhur me provat e reja, në përputhje me rregullat e gjykatës.

Pas përfundimit të parashtresave, gjyqtarët shqyrtojnë çështjen dhe marrin vendimin e Apelit. Nëse konsiderohet e nevojshme, mund të zhvillohet edhe seancë dëgjimore.

Në përfundim, trupi gjykues i Apelit mund ta lërë në fuqi, ta rrëzojë ose ta ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë.

Ndërkohë, Dhomat e Specializuara kanë nisur edhe procedurat që lidhen me zhdëmtimet pas shpalljes së aktgjykimit./Versus.al

Poll