
Një 42-vjeçare ka humbur jetën tragjikisht mëngjesin e sotëm në San Donà di Piave, pranë Venecias, teksa po shoqëronte vajzën e saj 9-vjeçare për në shkollë.
Aksidenti ndodhi pak para orës 08:00 në Via Passarella, në kryqëzimin me Via Paolo VI. Sipas mediave italiane, Lavdije Isteri, nënë e tre fëmijëve, u përplas nga një kamion plehrash i kompanisë Veritas, i cili po kthehej djathtas në një rrugë anësore.
Përplasja ishte fatale për 42-vjeçaren. Vajza e saj ndodhej me të në momentin e aksidentit, por fatmirësisht kishte kaluar pak më përpara dhe nuk u përfshi në përplasje.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë ambulancat dhe zjarrfikësit, të cilët përdorën një vinç për të ngritur kamionin dhe për të nxjerrë gruan. Përpjekjet për ta shpëtuar nuk rezultuan të suksesshme.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe veçanërisht prindërit e nxënësve të shkollës “Marco Polo”, pranë vendit të aksidentit. Një dëshmitare tregoi se vajza e vogël kishte kaluar rrugën vetëm pak çaste përpara se të ndodhte përplasja.
Policia lokale ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e saktë të aksidentit.

