Sherife Luta, gruaja që u bë simbol i eksodit të shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës, ka rrëfyer momentet e vështira të largimit nga shtëpia dhe arratisjes nga forcat serbe.
Luta tregoi se në marsin e vitit 1999, në moshën 22-vjeçare, u detyrua të largohej nga shtëpia së bashku me vajzën e saj 6-muajshe, Besën.
Ajo kujtoi 8 marsin, kur sipas saj, forcat serbe i detyruan të largoheshin nga shtëpia. Luta tha se gjatë largimit morën ndihmë nga UÇK-ja, e cila i udhëzoi të largoheshin për shkak të luftimeve që priteshin.
“Më 8 mars jemi detyruar me dalë nga shpia me dhunë, se forcat serbe na detyruan me dalë nga shtëpia. Ushtria jonë Çlirimtare na ndihmoi të largohemi dhe na tha që të ikim, sepse do të luftohej me serbët”, rrëfeu ajo.
Familja e saj u nis nga fshati Ivaj drejt Kaçanikut, por rrugës u ndalua nga forcat serbe.
“Ikëm nga fshati Ivaj drejt Kaçanikut dhe aty ishim të rrezikuar, se na ndaluan forcat serbe gjatë rrugës. Me ndihmën e OSBE-së dhe Ushtrisë tonë shpëtuam. Ishte një udhëtim shumë i gjatë, 24 orë”, tha Luta.
E pyetur për qëndrimin e saj ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, Luta u shpreh se lajmi e ka prekur rëndë.
“Ndihem shumë keq, një lajm shumë i keq më ka ardhur atë ditë për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së”, deklaroi ajo.
Për Lutën, UÇK-ja mbetet ushtria që, sipas saj, ndihmoi Kosovën gjatë luftës dhe solli lirinë.
“UÇK-ja është për mua ushtria që na ka ndihmuar shumë, e ka ndihmuar Kosovën dhe na ka sjellë lirinë”, u shpreh ajo.
Fotografia e saj me vajzën e vogël në krahë, e realizuar gjatë eksodit, mbetet një nga imazhet që lidhen me largimin masiv të shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës. Luta tha se ajo fotografi i rikthen kujtimet e asaj periudhe, ndërsa vajza e saj tashmë e kupton historinë që ka përjetuar.
“Fotoja më kujton kohën e luftës. Besjana tani e përkujton luftën dhe e di dhe e kupton edhe ajo. Kurrë nuk harrohet kjo deri në momentin e vdekjes. Ata njerëz që kanë përjetuar ato që na ka bërë Serbia, nuk harrohen”, përfundoi Sherife Luta./Euronews

