IA merr në dorë propagandën/ NYT: Si Kina, Irani dhe kompani izraelite po manipulojnë debatin online përmes profileve të rreme

18 Shtator 2026, 22:50Bota TEMA
IA merr në dorë propagandën/ NYT: Si Kina, Irani dhe kompani

Sipas një raportimi të The New York Times, Irani, Kina dhe kompani private në Izrael kanë përdorur muajt e fundit inteligjencën artificiale në një mënyrë të re për të krijuar fushata influence në rrjetet sociale, duke shtuar shqetësimet se teknologjia mund të përdoret gjithnjë e më shumë për manipulimin e debatit publik dhe proceseve zgjedhore.

Gazeta amerikane shkruan se këto fushata nuk u mbështetën vetëm te përmbajtja e gjeneruar nga inteligjenca artificiale, por te të ashtuquajturit “agjentë” të AI-së: programe që mund të kryejnë detyra në mënyrë autonome, nga hapja e llogarive të rreme deri te publikimi i postimeve dhe koordinimi i mesazheve mes tyre.

Sipas zyrtarëve amerikanë dhe ekspertëve të sigurisë të cituar nga NYT, në disa prej rasteve u përdorën modele kineze “open-source” të inteligjencës artificiale. Këto sisteme mund të shkarkohen, modifikohen dhe ekzekutohen në serverë privatë, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen e kompanive që i kanë krijuar.

Pasi u konfiguruan, qindra agjentë të AI-së krijuan automatikisht një rrjet profilesh të rreme në Facebook, Instagram, X dhe TikTok. Më pas ato nisën të publikonin përmbajtje politike, të komentonin në postime dhe të ndërhynin në diskutime me synimin për të ndikuar opinionin publik.

Sipas burimeve të cituara nga The New York Times, fushatat e lidhura me Iranin dhe Kinën rezultuan të mbështetura nga shteti, ndërsa dy operacione të identifikuara në Izrael u lidhën me kompani private.

Rasti iranian konsiderohet një prej më shqetësuesve. Sipas raportimit, rrjeti synonte audiencën amerikane dhe përdorte llogari që paraqiteshin si qytetarë të zakonshëm amerikanë nga qytete të mëdha. Ato komentonin në postimet e gazetarëve dhe politikanëve, shpërndanin meme dhe publikime me përmbajtje politike, përfshirë mesazhe kundër Partisë Republikane.

Këto profile të rreme kishin në total rreth 80 mijë ndjekës gjatë gjysmës së parë të vitit, sipas burimeve të cituara nga gazeta.

Një tjetër rast lidhet me kompaninë izraelite IntelEye, të themeluar nga ish-punonjës të NSO Group. Sipas NYT, kompania përdori modelin kinez DeepSeek për të kontrolluar mijëra llogari në rrjetet sociale.

Një nga themeluesit e IntelEye, Maor Sellek, pranoi se kompania kishte blerë rreth 10 mijë llogari dhe se afro 1 mijë prej tyre ishin funksionale, por mohoi se bëhej fjalë për një fushatë reale ndikimi. Sipas tij, operacioni ishte një test sigurie për të kuptuar se si modelet e AI-së me masa të dobëta mbrojtëse mund të keqpërdoren.

Llogaritë ndërhynin në diskutime për zgjedhjet e ardhshme në Izrael dhe publikonin mesazhe si në favor, ashtu edhe kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu. Meta tha se kishte identifikuar një përpjekje të koordinuar për krijimin e llogarive joautentike dhe se shumica e tyre ishin hequr automatikisht nga platformat e saj, sipas raportimit të NYT.

Pikërisht shkalla e automatizimit është ajo që ka ngritur shqetësimet më të mëdha. Deri tani inteligjenca artificiale ishte përdorur gjerësisht për të prodhuar imazhe, video apo tekste të rreme. Në rastet e fundit, megjithatë, AI-ja mund të kryejë pothuajse të gjithë zinxhirin e operacionit: të hapë llogarinë, të zgjedhë temën, të krijojë përmbajtjen, të publikojë dhe të ndërveprojë me përdorues të vërtetë.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo mund ta bëjë propagandën online shumë më të lirë dhe më të lehtë për t’u zgjeruar. Në vend që një operacion të kërkojë qindra persona që menaxhojnë llogari të rreme, një numër shumë më i vogël operatorësh mund të kontrollojë mijëra profile përmes agjentëve të AI-së.

Kyle Crichton, studiues në Georgetown Center for Security and Emerging Technology, i tha The New York Times se agjentët mund të bëhen mjaft të sofistikuar sa jo vetëm të veprojnë në shkallë të madhe, por edhe të duken më shumë si përdorues realë.

Ky zhvillim po ndiqet me vëmendje të veçantë në SHBA, ku zyrtarët amerikanë druhen se teknika të ngjashme mund të përdoren për të ndikuar zgjedhësit përpara zgjedhjeve të ndërmjetme të nëntorit. Rusia, Irani dhe Kina janë akuzuar edhe më parë për operacione ndikimi ndaj publikut amerikan, por teknologjitë e reja e ulin ndjeshëm koston dhe nevojën për ndërhyrje njerëzore.

Meta ka pranuar publikisht se aktorë keqdashës po eksperimentojnë me sisteme ku inteligjenca artificiale mund të prodhojë, përshtatë dhe shpërndajë përmbajtje me ndërhyrje minimale nga njerëzit.

Shqetësimi kryesor, sipas ekspertëve të cituar nga The New York Times, është se fushatat e sotme janë ende relativisht të papërpunuara, por teknologjia po përmirësohet me shpejtësi. Nëse agjentët e AI-së bëhen më bindës dhe më të aftë për të imituar sjelljen njerëzore, dallimi mes një qytetari real dhe një rrjeti të automatizuar propagande mund të bëhet gjithnjë e më i vështirë.

Lini një Përgjigje