AKTUALITET /

FOTO/ Zbardhet identiteti i 42-vjeçares shqiptare që humbi jetën në Itali duke çuar vajzën në shkollë

Viktima është Lavdije Isteri, me origjinë nga Durrësi dhe nënë e tre fëmijëve

Shkruar nga Versus

FOTO/ Zbardhet identiteti i 42-vjeçares shqiptare që humbi

Zbulohet identiteti i 42-vjeçares shqiptare që humbi jetën tragjikisht mëngjesin e së premtes në San Donà di Piave, pranë Venecias, pasi u përplas nga një kamion i mbledhjes së mbetjeve.

Viktima është Lavdije Isteri, me origjinë nga Durrësi dhe nënë e tre fëmijëve. Ajo ishte duke shoqëruar vajzën e saj 9-vjeçare për në shkollë në momentin kur ndodhi aksidenti.

Ngjarja ndodhi pak para orës 08:00, në kryqëzimin e rrugëve Passarella dhe Paolo VI. Sipas mediave italiane, kamioni po kryente një kthesë djathtas drejt një rruge dytësore, kur përplasi 42-vjeçaren. Gruaja humbi jetën në vendngjarje.

Momenti tragjik ndodhi në prani të vajzës së saj. E mitura ndodhej disa metra përpara nënës dhe kishte kaluar tashmë rrugën, duke shpëtuar nga përplasja.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë ambulancat dhe zjarrfikësit. Për nxjerrjen e gruas nga poshtë kamionit u përdor një vinç, por ekipet e emergjencës nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar.

“Po i shoqëroja fëmijët e mi në shkollë kur pashë shumë nëna që vrapuan drejt fundit të rrugës. Kur mbërritëm, pamë tragjedinë. Fatmirësisht, vajza ishte pak më përpara nënës dhe e kishte kaluar rrugicën”, tha një dëshmitare.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitet. Në shkollën fillore “Marco Polo”, nxënësit nuk dolën në pushimin e madh, ndërsa prindërit u larguan të tronditur pas përfundimit të mësimit.

Shoferi i kamionit ndodhet në gjendje shoku. Ndërkohë, policia lokale ka nisur hetimet për të zbardhur të plotë dinamikën e aksidentit.

Sipas mediave italiane, kamioni ishte një model më i vjetër, i pajisur me pasqyra shtesë, por pa sistemet më moderne të sigurisë. Hetimet pritet të përcaktojnë nëse këndi i kufizuar i shikimit gjatë manovrës ka ndikuar në aksident./Versus.al

Poll