Jemi në Tiranë, në rrugën e Durrësit, aty ku një apartament është kthyer në ‘mollë sherri’ dhe ka ndezur debate të ashpra mes pronarëve dhe personave që e kanë marrë me qira, të cilët, në shkelje të kontratës, sot nuk pranojnë të dalin nga shtëpia, duke krijuar një skemë të mirëfilltë mashtrimi, qiraje dhe më pas nënqiraje. Gjithçka nisi kur një person, i quajtur Gentian Zavalani, kërkoi të marrë me qira banesën e çiftit, Lavdije dhe Gëzim Ago.
Por Zavalani ishte veçse një person i përdorur nga Asiola dhe Albert Sula, me qëllim që të merrnin apartamentin, pasi çifti kishte refuzuar prej kohësh t’ia jepnin atij, për shkak të mungesës së besimit. Të gjendur përballë kësaj situate, çifti Sula gjetën zgjidhjen ‘perfekte’ duke përdorur Zavalanin.
Kur çifti Ago kuptoi se çfarë po ndodhte, ishte tepër vonë, pasi tashmë Asiola dhe Albert Sula kishin ngritur një strukturë biznesi në pronën e tyre, duke përdorur kontratën e nënqirasë të firmosur me Gentian Zavalanin. Këtu do të nisnin dhe përplasjet, ndërsa në një video, Alberti shihet duke kërcënuar dhe sharë me fjalor banal dhe punonjësit e shtetit.
Nga ajo që kuptojmë, në këtë histori me zaptim prone, është se Alberti ndihet pronar në një shtëpi që e ka marrë me një kontratë nënqiraje, e cila është përpiluar dhe firmosur me hije dyshimi për vërtetësinë e saj e që, për më tepër, i ka humbur efekti.
Sepse, referuar kontratës së qirasë të firmosur më datë 1 gusht 2024, mes Gëzim dhe Lavdie Agos me zotin Gentian Zavalani, në pikën 2 thuhet qartësisht se kjo marrëveshje e humb legjitimitetin e saj më 1 gusht 2025. Dhe vetëm nëse palët bien dakord, 30 ditë përpara afatit të përfundimit të saj, pra në korrik 2025, atëherë kontrata mund të rinovohet edhe për dy vite të tjera.
Ndërkohë, një pikë tjetër e rëndësishme është ajo që përcakton se, nëse nuk bëhet pagesa e qirasë në kohën që është rënë dakord mes palëve, atëherë kontrata do të prishet automatikisht…
Pra, një kontratë e skaduar dhe e shkelur me të dy këmbët nga qiramarrësi, që në fakt është nën/qiramarrës, sepse qiramarrësi i vërtetë, Gentian Zavalani, ka dalë tërësisht jashtë loje.
Por këtu nis një tjetër problem për pronarët e ambientit, sepse Alberti ka pretendime... pasi i kërkon çiftit Ago 120 mijë euro me pretendimin e investimit në pronë.
Për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, fillimisht takuam Gentian Zavalanin, i cili duket se ka dhe rolin kyç në këtë histori. Por, në mungesë të argumenteve, ai tenton t’i shmanget përgjegjësisë, derisa në fund, zbërthen skemën e mashtrimit, kërkon ndjesë dhe zotohet se nuk do të bëjë më gabime.
Ndërsa Albert Sula, i cili vijon të qëndrojë në banesë, ka pretendime të tjera. Ai këmbëngul që kontrata e nënqirasë është në konform ligjit dhe se nuk e ka përdorur Zavalanin si karrem për ta marrë fillimisht banesën me qira të çiftit Ago, ndonëse vetë Gentiani e pranon në përballjen me ne se ndihet i përdorur dhe se që në fillim e ka marrë shtëpinë me qira te Lavdia dhe Gëzimi, me qëllim që ajo pronë më pas të përdoret nga Alberti dhe Asiola.
Tashmë çështja është në duart e drejtësisë, e cila ka për detyrë t’i japë zgjidhje përfundimtare këtij konflikti. /Piranjat
© SYRI.net