Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka zhvilluar një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në kuadër të samitit të parë të nismës së re rajonale “Tetëshja e Karpateve”.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Zelensky përmes një postimi në platformën X, ku ka falënderuar Beogradin zyrtar që iu bashkua këtij formati.
Sipas kreut të shtetit ukrainas, qëllimi i këtij grupimi është që vendet e rajonit të gjejnë më shumë hapësira për bashkëpunim ekonomik dhe garanci sigurie.
“Është e rëndësishme ta zhvillojmë këtë format të ri, në mënyrë që çdo shtet në rajon të ketë mundësitë ekonomike dhe të sigurisë që i duhen. Po bëjmë gjithçka për ta arritur dhe sot, bashkë me liderët e tjerë, do të marr pjesë edhe në Forumin e parë të Biznesit të Karpateve”, ka shkruar Zelensky.
Gjatë takimit, dy presidentët kanë diskutuar edhe mbi marrëveshjet e arritura një muaj më parë, kur Zelensky zhvilloi vizitën e parë zyrtare në Beograd në fillim të gushtit. Në fokus të bisedës ishte integrimi evropian i Ukrainës dhe Serbisë, si dhe situata në terren nga sulmet ruse.
“Do të vazhdojmë dialogun tonë dypalësh”, u shpreh Zelensky.
Vizita e gushtit në Serbi mori vëmendje të madhe ndërkombëtare, pasi Beogradi është ndër të paktat kryeqytete evropiane që ende refuzon t'i vendosë sanksione Rusisë për agresionin në Ukrainë. Në atë takim, Vuçiç premtoi vazhdimin e ndihmës humanitare për popullin ukrainas.
Po në Beograd, Zelensky u pyet edhe për qëndrimin e Kievit ndaj Kosovës. Ai theksoi se pozicioni i Ukrainës nuk ka ndryshuar.
“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë”, deklaroi ai asokohe.
Kjo deklaratë shkaktoi reagime të shumta në Kosovë, Shqipëri dhe brenda vetë Ukrainës, duke qenë se Kosova i është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë dhe ka ofruar ndihmë për Kievin.
Nisma “Tetëshja e Karpateve” është krijuar me propozimin e Zelenskyt dhe bashkon 8 vende të Evropës Qendrore dhe Lindore ku shtrihen Karpatet: Rumaninë, Serbinë, Poloninë, Sllovakinë, Çekinë, Austrinë, Hungarinë dhe BE-në si bllok. Qëllimi është forcimi i bashkëpunimit tregtar dhe i sigurisë, sidomos pas bllokimit të rrugëve tregtare që solli pushtimi rus në vitin 2022.
