Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, gjatë një interviste për Euronews Albania ka folur në lidhje me vendimin e marrë nga Gjykata Speciale në Hagë, duke e cilësuar këtë si një nga momentet më të vështira për familjen e tij. Ai tha se e ka vizituar të atin pas shpalljes së vendimit dhe se pavarësisht se ndodhet në një situatë të rëndë vijon të ketë forcë dhe vullnet.
Altin Krasniqi tha se ajo që e bën më të rëndë për familjen është kohëzgjatja e dënimit dhe mosha e Jakup Krasniqit.
“Momenti i vendimit ka qenë shumë i rëndë. Babain e kam vizituar dhe ai ka një vullnet të fortë. Jam shumë krenar për të. 25 vite janë një dënim shumë i rëndë. Babai është 76 vjeç dhe në momentin kur i përfundon ky dënim mundet të mos jetë gjallë”, tha Altin Krasniqi.
Altin Krasnqii u ndal gjithashtu edhe te mbështetja e qytetarëve të cilët janë ngritur në protestën duke thënë se ata po i japin forcë familjarëve.
“Mbështetja në protestë është një motiv i madh. Populli i ka shpallur të pafajshëm”, deklaroi ai.
Krasniqi u shpreh familja ndihet krenare për Jakup Krasniqin dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së, ndërsa e lidhi jetën e sotme të Kosovës me luftën e viteve ’90.
