Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Bashkëpunëtorë dhe bashkëveprimtarë e kujtojnë kontributin e Flora Brovinës

Bashkëpunëtorë dhe bashkëveprimtarë e kujtojnë kontributin e Flora Brovinës

Foto: Driton Paçarada

Me nderime të larta është varrosur veprimtarja dhe humanistja Flora Brovina. Gjatë ditës janë mbajtur homazhe në hollin e Kuvendit të Kosovës, aty ku Brovina ishte deputete nga radhët e PDK-së. Ndërsa në ceremoninë, është kujtuar puna dhe sakrifica e saj, para, gjatë dhe pas luftës

Aktivistja për të drejtat e njeriut dhe ish-deputetja Flora Brovina është varrosur me nderime të premten në Prishtinë.

Për veprimtaren, Brovina, në ceremoninë përkujtimore kanë folur bashkëveprimtarë, mjekë dhe ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke i kujtuar kontributin në shërbim të vendit.

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Shyqri Galica, tha se ajo nuk u ndal kurrë me veprimtarinë humane e patriotike para, gjatë dhe pas luftës.

“Me ballë lart nuk u ndal asnjë çast për të furnizuar kolegët me armë, me uniforma, me barna e shërbime, me pajisje shëndetësore dhe me kurajën që ishte qenësore në atë kohë. Edhe në liri u dëshmua si veprimtare, humaniste e atdhetare fisnike”, ka thënë Galica.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës Pleurat Sejdiu, duke vlerësuar kontributin e Brovinës, e quajti atë “luanesha shqiptare”.

Edhe Nderohet figura e Flora Brovinës Arbëri Nderohet figura e Flora Brovinës

“Sot në emër të Odës së Mjekëve të Kosovës dhe Këshillit të Mjekëve, përkulemi me respektin më të thellë para jetës dhe veprës së Flora Brovinës. Flora i takon atij brezi të hershëm të mjekëve shqiptarë në Kosovë, të cilët profesionin e mjekësisë nuk e patën vetëm si punë, por mision. Ajo në profesionin e vet të mjekësisë nuk u kufizua vetëm brenda mureve të spitalit apo ambulancës. Përreth viteve ’90 ajo është angazhuar edhe si gazetare në “Rilindja”, ku e pa rëndësinë se sa është e nevojshme dhe e dobishme komunikimi me popullatën, ndërgjegjësimi i saj për nevojat e shëndetit publik”, është shprehur Sejdiu.

Ish-i burgosuri politik, Bajrush Xhemajli, foli për arrestimin dhe burgosjen e Brovinës, duke rikujtuar periudhën e saj të qëndrimit në burgjet e Kosovës dhe të Serbisë.

“Pikërisht për veprimtarinë e saj patriotike çlirimtare, Flora u arrestua, u burgos dhe u dënua me 12 vjet burg. Prandaj, edhe kalvari i vuajtjeve të saj ishte pa fund. Ndarja larg fëmijëve e familjes në qelitë e ftohta të burgjeve të Kosovës e pastaj transferimi në burgjet serbe, njëherë në Pozharevc e pastaj në Nish. Në këto burgje, siç do të dëshmojë edhe vetë pas çlirimit të saj, u mbajt e izoluar pjesën më të madhe të kohës së dënimit”, ka thënë Xhemajli.  

Në mesin e shumë qytetarëve që bënë homazhe pranë arkivolit të saj në hollin e Kuvendit të Kosovës, ishte edhe ushtruesja e detyrës e presidentes, ministra e deputetë si dhe krerë të partive politike.

Flora Brovina ishte një nga figurat e njohura të rezistencës dhe jetës publike në Kosovë. Në vitin 1992, themeloi Lidhjen e Gruas Shqiptare, përmes së cilës u angazhua për të drejtat e grave dhe fëmijëve, si dhe për ndihmë humanitare.

Gjatë luftës në Kosovë, ajo qëndroi në Prishtinë dhe vazhdoi veprimtarinë humanitare e mjekësore.
Më 20 prill 1999, u arrestua nga forcat serbe dhe u burgos në Serbi. Në dhjetor të vitit 1999, një gjykatë në Nish e dënoi me 12 vjet burgim, nën akuzat për veprimtari terroriste. Vendimi u anulua më pas nga Gjykata Supreme e Serbisë dhe rasti u kthye për rigjykim.

Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e konsideruan rastin e saj politik dhe kërkuan lirimin e saj. Pas rreth 19 muajsh burgim, u lirua në nëntor të vitit 2000. Për veprimtarinë e saj, u nderua me çmime ndërkombëtare.

Edhe Vdiq Flora Brovina, mjekja e humanistja që u bë simbol i qëndresës LAJMET E MBRËMJES Vdiq Flora Brovina, mjekja e humanistja që u bë simbol i qëndresës

Ajo ishte deputete në radhët e PDK-së dhe nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Flora Brovina ka vdekur më 15 shtator në moshën 76-vjeçare.