Gjermania ul taksën e karburanteve dhe përgatit tavan çmimesh, paketa e ndihmës për qytetarë arrin 2.5 miliardë euro

Gjermania ul taksën e karburanteve dhe përgatit tavan çmimesh, paketa e ndihmës për qytetarë arrin 2.5 miliardë euro

07:59, 19/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Qeveria gjermane ka vendosur të ulë taksën energjetike për benzinën dhe naftën, ndërsa po përgatit edhe një mekanizëm për vendosjen e një tavani për çmimet e karburanteve, me synim përballimin e rritjes së kostove të shkaktuar nga kriza energjetike dhe zhvillimet e tensionuara në Lindjen e Mesme.

Paketa e mbështetjes për qytetarët dhe bizneset pritet të arrijë në 2.5 miliardë euro. Qeveria federale gjermane njoftoi se nga 1 tetori deri në fund të vitit do të ulë taksën energjetike për benzinën dhe naftën me 14 cent për litër.

Me përfshirjen e TVSH-së, ulja që pritet të reflektohet në çmimin përfundimtar të paguar nga konsumatorët do të jetë rreth 17 cent për litër.

Sipas njoftimit të qeverisë, lehtësimi i përgjithshëm për qytetarët dhe bizneset llogaritet në 2.5 miliardë euro. Rreth 1.25 miliardë euro nga kjo shumë pritet të vijnë nga landet përmes një shume fikse të TVSH-së.

Qeveria gjermane i referohet përfundimeve të Komisionit të Pavarur të Monopoleve dhe Autoritetit Federal të Kartelit, sipas të cilave ulja e mëparshme e taksës, e aplikuar në muajt maj dhe qershor, u transferua pothuajse tërësisht te konsumatorët.

“Masa ishte efektive, ulja e çmimit të karburanteve përmbushi qëllimin e saj, duke zbutur në mënyrë efektive rritjen e çmimeve gjatë një periudhe me çmime veçanërisht të larta të karburanteve”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili kishte paralajmëruar ndërhyrjen e qeverisë që të martën, tha se qeveria po vepron me shpejtësi për të mbështetur qytetarët.

“Kushdo që varet nga makina e tij çdo ditë, tashmë po arrin në kufijtë e mundësive. Po veprojmë shpejt dhe kemi një plan të qartë për vitin 2027”, deklaroi Merz.

Kancelari gjerman theksoi se paketa e mbështetjes është një mesazh për qëndrueshmërinë në kohë krize.

“Po tregojmë qëndrueshmërinë tonë në kohë krize dhe po ndihmojmë qytetarët tanë. Një lehtësim prej të paktën 2.5 miliardë eurosh nuk është një shumë e vogël në një periudhë kur buxhetet janë nën presion”, u shpreh ai.

Në të njëjtën kohë, Merz tha se qeveria arriti ta hartojë paketën në një kohë të shkurtër, duke dërguar, sipas tij, “një mesazh të fortë për vendin”.

Në një fazë të dytë, qeveria gjermane njoftoi se do të nisë bisedimet me industrinë e naftës, me synim vendosjen e një tavani të përkohshëm për çmimet e karburanteve deri më 1 janar 2027.

Masa po shqyrtohet në modelin e ndërhyrjeve të ngjashme të zbatuara në Belgjikë dhe Luksemburg.

“Duhet të garantohet siguria e furnizimit dhe të parandalohen rritjet abuzive të çmimeve”, thekson qeveria gjermane.

Ndërkohë, Berlini ka mirëpritur diskutimet në nivel të Bashkimit Evropian për shqyrtimin e masave mbështetëse për industrinë e naftës, të ngjashme me ato të ndërmarra gjatë krizës energjetike të vitit 2022.

Qeveria gjermane njoftoi gjithashtu se do të vijojë të monitorojë nga afër ecurinë e çmimeve dhe ndikimin ekonomik të krizës, me qëllim ofrimin e mbështetjes së synuar për qytetarët dhe bizneset që preken më shumë.

Në këtë kuadër, po planifikohet krijimi i një mekanizmi për pagesa të drejtpërdrejta, të bazuara në të ardhurat, në mënyrë që ndihma financiare t’u drejtohet atyre që kanë më shumë nevojë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco