Inteligjenca Artificiale gati sa nuk shkaktoi luftën SHBA–Kinë, një raport i rremë alarmoi ushtrinë amerikane

Një raport i gabuar i krijuar me ndihmën e Inteligjencës Artificiale thuhet se për pak sa nuk e shtyu ushtrinë amerikane drejt një operacioni kundër një anijeje kineze në Lindjen e Mesme, duke rrezikuar një përshkallëzim të drejtpërdrejtë mes Uashingtonit dhe Pekinit.
Sipas një zbulimi të CNN, raporti qarkulloi në strukturat ushtarake amerikane gjatë pranverës, në kohën kur vazhdonte konflikti me Iranin. Në të pretendohej se një anije kineze në Lindjen e Mesme transportonte pjesë që lidheshin me një program për zhvillimin e armëve bërthamore.
Pretendimi shkaktoi alarm në ushtrinë amerikane. Autoritetet nisën të përgatisnin plane për ndalimin e anijes, ndërsa, sipas burimeve të cituara nga CNN, po përgatiteshin edhe ekipe të armatosura për hipjen në bord. Ndërkohë, disa avionë ushtarakë amerikanë ishin ngritur në fluturim.
Por pak para se operacioni të niste, zyrtarët shqyrtuan më nga afër raportin dhe zbuluan se ai ishte përpiluar me ndihmën e një mjeti të Inteligjencës Artificiale. Sistemi kishte identifikuar gabimisht ngarkesën e anijes.
Sipas CNN, nuk është bërë e ditur se çfarë përmbante realisht ngarkesa që u keqinterpretua nga sistemi. Një nga burimet e përshkroi raportin si “krejtësisht të rremë”, duke paralajmëruar se ai “pothuajse shkaktoi një luftë”.
Si u krijua alarmi nga Inteligjenca Artificiale
Incidenti nxori në pah rreziqet e përdorimit të shpejtë të AI-së në strukturat ushtarake dhe të inteligjencës amerikane.
Në këtë rast, një analist përdori një chatbot për të përpunuar informacione mbi ngarkesën e anijes, të marra nga Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së në Paqësor. Sistemi kombinoi të dhëna nga burime të hapura me informacione të klasifikuara dhe arriti në një përfundim të gabuar.
Më pas, analisti përdori përsëri AI-në për të hartuar një raport zyrtar të inteligjencës. Dokumenti u shpërnda te zyrtarët ushtarakë sikur të ishte një analizë e verifikuar.
Nuk është bërë e qartë nëse chatbot-i ishte një aplikacion komercial apo një sistem i zhvilluar nga qeveria amerikane.
Rritet përdorimi i AI-së në ushtrinë amerikane
Ushtria amerikane po investon gjithnjë e më shumë në Inteligjencën Artificiale për të përshpejtuar vendimmarrjen ushtarake, duke përfshirë identifikimin e objektivave, menaxhimin e burimeve, zinxhirët e furnizimit dhe planifikimin financiar.
Administrata amerikane argumenton se SHBA-ja nuk mund të mbetet pas në zhvillimin e teknologjive ushtarake të AI-së, veçanërisht në konkurrencën strategjike me Kinën.
Në janar, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, prezantoi strategjinë e Pentagonit për përshpejtimin e përdorimit të Inteligjencës Artificiale, duke theksuar nevojën për të eliminuar pengesat burokratike dhe për të rritur investimet në teknologjinë ushtarake.
Pentagoni dhe Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së në Paqësor nuk kanë komentuar publikisht mbi incidentin.
/vizionplus.tv




