Jo çdo njeri që të buzëqesh, të përgëzon apo të pyet si je, është domosdoshmërisht i lumtur për ty. Ndonjëherë, zilia fshihet shumë mirë pas sjelljeve që në pamje të parë duken krejt normale.
Kur dikush e krahason vazhdimisht veten me ty, suksesi yt mund t’i kujtojë gjërat që ai mendon se i mungojnë. Dhe kjo mund të shfaqet në mënyra nga më të ndryshmet: nga kopjimi dhe konkurrenca e panevojshme, deri te distancimi apo komentet që të ulin.
Sigurisht, një sjellje e vetme nuk mjafton për të kuptuar çfarë ndien dikush. Por nëse disa prej këtyre shenjave përsëriten vazhdimisht, mund të ketë diçka për t’u vënë re.
1. Fillojnë të të kopjojnë
E ke vënë re që papritur dikush vishet si ti, kërkon të njëjtën punë, interesohet për të njëjtat gjëra ose nis të ndjekë të njëjtin stil jetese?
Kopjimi nuk do të thotë gjithmonë zili, por kur bëhet i vazhdueshëm dhe duket sikur personi po përpiqet të ndërtojë një version të jetës tënde, mund të jetë një shenjë krahasimi. Në vend që të përqendrohet te rruga e vet, ai sheh te ti një lloj modeli për atë që do të kishte dëshirë të arrinte.
2. Çdo gjë që bën ti, duhet ta bëjnë pak më mirë
Ti bleve makinë të re? Ata tregojnë për të tyren. U promovove në punë? Papritur kanë edhe ata një histori suksesi. Njofton për një lidhje të re? Edhe ata kanë diçka për të treguar.
Nëse çdo bisedë kthehet në një garë dhe personi nuk mund të të lërë të shijosh një arritje pa sjellë menjëherë një të vetën, mund të ketë më shumë se thjesht konkurrencë miqësore pas kësaj sjelljeje.
3. Flasin për ty pas krahëve
Ndonjëherë zilia nuk shfaqet përballë teje, por në bisedat që bëhen kur ti nuk je aty.
Një person mund të nisë të përhapë komente, të minimizojë arritjet e tua ose të tregojë histori për ty që nuk do t’i thoshte kurrë në sy. Sidomos nëse këto biseda nuk kanë ndonjë qëllim tjetër përveçse të të ulin në sytë e të tjerëve.
4. Nuk dinë të gëzohen për sukseset e tua
Ky është një nga sinjalet më të dukshme.
Kur ti ke një lajm të mirë, një mik apo person i afërt normalisht do të gëzohet bashkë me ty. Por nëse dikush e kalon çdo arritje tënden me heshtje, ndryshon temë, gjen menjëherë diçka për ta minimizuar ose duket sikur mezi pret që momenti të mbarojë, mund të ketë vështirësi me suksesin tënd.
Zilia nuk do të thotë domosdoshmërisht se personi është i keq. Shpesh lidhet me pasiguritë dhe pakënaqësitë e veta. Problemi nis kur këto ndjenja ndikojnë te mënyra si sillet me ty.
5. Fillojnë të distancohen
Disa njerëz reagojnë ndaj zilisë duke bërë të kundërtën e asaj që do të prisje: largohen.
Nëse një person fillon të të shkruajë më rrallë, të shmangë takimet ose të duket emocionalisht më i ftohtë pikërisht kur jeta jote po shkon mirë, mund të jetë sepse krahasimi me ty po i krijon parehati.
Ndonjëherë distancimi mund të jetë edhe mënyra e tij për të përballuar ndjenjat e veta, pa i kthyer ato në konflikt me ty.
6. Ose bëjnë të kundërtën: afrohen edhe më shumë
Po, zilia mund të bëjë që dikush të largohet, por edhe që të ngjitet pas teje.
Një person që ka frikë se do të humbasë afërsinë, vëmendjen apo marrëdhënien me ty mund të përpiqet të jetë vazhdimisht pranë teje. Mund të dojë të dijë gjithçka që ndodh në jetën tënde, çfarë po bën, me kë po shoqërohesh dhe çfarë planesh ke.
Në këtë rast, afërsia nuk vjen gjithmonë vetëm nga dashamirësia. Ndonjëherë vjen edhe nga krahasimi dhe frika se mos mbetesh pas.
7. Bëhen papritur tepër të ëmbël
Kjo është ajo sjellja që të bën të mendosh: “Pse po sillet kaq mirë?”
Një person që përpiqet ta fshehë zilinë mund të bëhet jashtëzakonisht i sjellshëm, komplimentues dhe i interesuar për ty. Në disa raste, kjo mund të jetë thjesht mirësjellje. Por nëse duket e sforcuar dhe shoqërohet me shumë pyetje për jetën tënde, mund të jetë një mënyrë për të qëndruar afër dhe për të kuptuar më shumë rreth asaj që të bën zili.
8. Gjejnë gjithmonë diçka për të gjykuar
Ke bërë një zgjedhje? E gjykojnë. Ke ndryshuar diçka në pamje? Kanë koment. Ke nisur një lidhje, punë apo projekt të ri? Papritur kanë një listë me arsyet pse nuk është aq mirë sa mendon ti.
Kritika nuk është automatikisht shenjë zilie. Por kur një person duket se fokusohet vazhdimisht te të metat e tua dhe e ka të vështirë të pranojë diçka të mirë për ty, mund të jetë duke përdorur gjykimin si mënyrë për t’u ndier më mirë me veten.
9. Fillojnë të të përjashtojnë
Nuk të ftojnë më në daljet ku më parë ishe gjithmonë. Krijojnë një grup tjetër pa ty. Organizojnë diçka dhe e merr vesh në fund.
Përjashtimi mund të ketë shumë arsye, por kur ndodh papritur dhe përsëritet, sidomos në periudha kur ty po të ecën mirë, mund të jetë një mënyrë pasive për të krijuar distancë ose për të të bërë të ndihesh keq.
10. Zhduken pikërisht kur ti po shkëlqen
Disa njerëz janë pranë teje kur gjërat nuk shkojnë aq mirë, por bëhen të padukshëm sapo ti nis të shkëlqesh.
Kur merr një promovim, je e lumtur në lidhje, nis një projekt të ri apo thjesht dukesh më mirë me veten, ata papritur nuk kanë më kohë. Nëse kjo përsëritet sa herë që ti je në një periudhë të mirë, ia vlen ta vësh re.
Një marrëdhënie e shëndetshme nuk kërkon që njëri të jetë më pak i lumtur në mënyrë që tjetri të ndihet mirë.
11. E bëjnë jetën tënde të duket perfekte dhe njëkohësisht “pa shumë mund”
Kjo është pak më e sofistikuar.
Një person ziliqar mund të flasë për jetën tënde sikur gjithçka të ka ardhur vetë. “Ti e ke pasur gjithmonë kollaj”, “ty të ecën çdo gjë”, “ti ke fat”.
Në pamje të parë tingëllojnë si komplimente, por nëse pas tyre fshihet ideja se ti nuk ke punuar për atë që ke, atëherë suksesi yt po zhvlerësohet.
Sepse është shumë më e lehtë të mendosh se dikush ka pasur fat sesa të pranosh se ka punuar, ka dështuar, është ngritur dhe ka vazhduar përpara.
Në fund, jo çdo person që të kopjon, të kritikon apo largohet nga ti është domosdoshmërisht ziliqar. Por kur këto sjellje përsëriten dhe shfaqen sidomos në momentet kur ty po të ecën mirë, mund të tregojnë se marrëdhënia ka një problem që ia vlen ta shohësh më nga afër.


