AKTUALITET /

Alket Rizai ende në arrati, emri i tij del në një tjetër vr*sje të dyshuar me pagesë! U filmua nga kamerat e burgut

I dënuari shqiptar kishte mohuar përfshirjen, poir një prej punonjësve të burgut tha se e kishte parë të dilte nga vendi ku ndodhi krimi.

Shkruar nga Versus

Alket Rizai ende në arrati, emri i tij del në një tjetër

Alket Rizai, shqiptari i dënuar me burgim të përjetshëm për tre vrasje dhe i njohur për dy arratisje spektakolare nga burgu, është ende në arrati pasi nuk u paraqit të hënën në burgun e Domokosit ku vuante dënimin.

Televizioni grek SKAI pretendon se emri i Rizait është shfaqur në vrasjen e një të burgosuri më 15 shkurt 2026. Sipas mediave greke, pamjet e kamerave të sigurisë e kanë filmuar 47 vjeçarin në ambientet ku u vra me tre plumba në kokë Antonis Papadatos.

Për vrasjen u akuzua një bullgar i cili ishte i dënuar me burg përjetë, ndërsa në përaburgim ndodhet edhe shefi i sigurisë së burgut për shkak se ndodhej në vendngjarje dhe dha dëshmi kontradiktore.

Pamjet tregojnë se autori bullgar e nxorri viktimën nga sektori ku qëndronte dhe e shoqëroi drejt zyrës së shefit të sigurisë. Njëkohësisht drejt zyrës u nis edhe Alket Rizai së bashku me disa të burgosur të tjerë. Kamerat e sigurisë kanë regjistruar shefin e sigurisë duke u përqafuar me Rizain para se viktima të shoqërohej në një dhomë ku nuk kishte kamera sigurie. Aty u qëllua me dy plumba në fytyrë dhe një në pjesën e pasme të kokës.

Për krimin e rëndë, i burgosuri bullgar mori përsipër autorësinë duke pretenduar se viktima kishte tentuar të friste shefin e sigurisë dhe se arma ishte shkrepur gjatë përpjekjes për ta ndaluar. Por sipas mediave greke, prokuroria dyshon se bëhet fjalë për vrasje me pagesë.

Nga ana tjetër Rizai mohon të ketë qenë në dhomën ku ndodhi krimi, por një punonjës i burgut ka dëshmuar se kishte parë të dilte pasi ndodhën të shtënat.

“Në një moment dëgjova të shtëna që vinin nga ambienti i zyrës së vjetër të shefit të sigurisë. Pashë që i pari doli Alket Rizai...”, ka deklaruar punonjësi.

Sipas televizionit grek, ekspertët e kriminalistikës kanë gjetur gjurmë gjaku në këpucët e Rizait dhe gjurmë baruti në rrobat e tij.

“Unë jam i pastër dhe nuk kam frikë nga asgjë. Nuk isha brenda zyrës së vjetër të shefit të sigurisë në momentin kur u krye krimi. Nuk kisha asnjë arsye të përzihesha në një çështje të tillë, as për gjithë paratë e botës”, ka deklaruar Rizai.

Pavarësisht dëshmive dhe gjurmëve të raportuara, ai nuk është akuzuar për vrasjen dhe në këtë çështje ka statusin e dëshmitarit. Versus.al

Poll