Kryeministri Edi Rama ka publikuar pjesë nga raportimet e zhvilluara gjatë takimit të djeshëm me ministrat, deputetët dhe drejtuesit politikë të qarqeve, ku në fokus ishte ecuria e nismës “Prania Besnike”.
Procesi, i cili zhvillohet çdo të premte në orën 17:00 në të gjithë vendin, synon mbledhjen e shqetësimeve dhe kërkesave të qytetarëve dhe përcjelljen e tyre pranë institucioneve përgjegjëse.
Gjatë takimit u raportua për numrin e dëgjesave të zhvilluara, ankesat e mbledhura në qarqe të ndryshme dhe mënyrën se si po ndiqen rastet pranë institucioneve. Sipas raportimeve, në javën e dytë numri i dëgjesave është rritur nga 80 në 149.
Në total, Belinda Balluku raportoi 431 ankesa, ndërsa drejtues të tjerë folën për qindra raste të mbledhura në qarqet përkatëse. Një pjesë e konsiderueshme e tyre lidhen me problematika individuale, ndërsa gjatë takimit u theksua nevoja për kategorizimin e rasteve të ngjashme dhe përcaktimin e prioriteteve për trajtimin e tyre.
Sipas raportimeve, mekanizmi i përcjelljes së ankesave te institucionet është tashmë funksional, ndërsa janë dërguar komunikime elektronike për rastet e referuara nga deputetët.
Blendi Klosi tha se në javën e dytë është shënuar një rritje me mbi 50% e numrit të dëgjesave.
“Është për t’u shënuar që në javën e dytë dëgjesat janë rritur me mbi 50%. Nga 80 që kanë qenë në javën e parë, tashmë janë 149 të tilla, duke shënuar rritje”, u shpreh Klosi.
Niko Peleshi raportoi për situatën në qarkun e Korçës, duke dhënë edhe ndarjen e rasteve sipas bashkive.
“Bashkia Korçë nga 263 në total, ka 118 raste. 45% lidhen me Bashkinë Korçë si territor. 85 nga Pogradevi dhe 57 raste nga Kolonja. Procesi po funksionon dhe ka fituar kredibilitet”, tha Peleshi.
Taulant Balla u ndal te situata në Kamëz, duke deklaruar: “Në Kamëz është përmbyllur procesi i rindërtimit me 1200 përfitues.”
Nga ana tjetër, Belinda Balluku bëri të ditur numrin total të ankesave të mbledhura dhe objektivin për javën në vijim.
“Të gjitha ankesat në total janë 431. I kemi vendosur vetes një qëllim që të rrisim numrin e ankesave të zgjidhura në javën e ardhshme”, deklaroi Balluku.
Ulsi Manja tha se gjatë javës së dytë janë paraqitur 38 ankesa dhe se rastet janë referuar për zgjidhje.
“38 ankesa kanë ardhur në këtë javë të dytë, 100% të rasteve për të dyja këto të premte janë referuar për zgjidhje nga deputetët”, u shpreh Manja.
Për pjesëmarrjen e qytetarëve foli Ogerta Manastirliu, e cila tha se në dëgjesa kanë marrë pjesë më shumë se 1200 persona.
“Jemi takuar me mbi 1200 pjesëmarrës. Është një proces që po ecën mirë, pjesëmarrja po rritet nga java në javë për çështjet individuale, por edhe për pjesën e komunitetit”, tha Manastirliu.
Enea Karakaçi raportoi për rastet e mbledhura gjatë dy javëve.
“Në dy javë janë mbajtur 172 ankesa, janë më shumë të natyrës individuale, njerëzit e kanë pritur shumë mirë”, deklaroi ai.
Në Vlorë, sipas Bledi Çuçit, janë regjistruar 179 ankesa.
“Në Vlorë kanë mbërritur 179 ankesa gjithsej. E-mailet që vijnë nga deputetët duhet të ketë prioritet maksimal”, tha Çuçi.
Ndërkohë, Arbjan Mazniku tha se sistemi i përcjelljes së rasteve është funksional dhe se një pjesë e institucioneve kanë kthyer përgjigje.
“Sistemi tani është plotësisht funksional, janë çuar të gjitha e-mailet në të gjitha institucionet, 31 prej tyre kanë marrë përgjigje”, u shpreh Mazniku.
Mirela Kumbaro propozoi që problematikat e ngjashme të evidentuara në qarqe të ndryshme të bashkohen dhe të kategorizohen.
“Mendoj që problematika të njëjta të qarqeve të ndryshme t’i bashkojmë dhe t’i kategorizojmë me një lloj prioriteti”, tha Kumbaro.
Ervin Demo e konsideroi periudhën e ardhshme të rëndësishme për konsolidimin e procesit.
“Dy-tre javët që kemi para do të jenë kritike për të konsoliduar pastaj një gjë që të jetë sa më funksionale”, deklaroi Demo.
Në përfundim të takimit, kryeministri Edi Rama kërkoi që nisma të mos mbetet vetëm te mbledhja dhe përcjellja e ankesave, por të vijojë sipas objektivave të përcaktuara.
“Nuk është ideja thjesht që ne të marrim halle e të çojmë halle. Këtu ideja është që ky proces të vijojë sa më mirë. Të vazhdojmë sipas objektivave dhe sipas planeve”, tha Rama.


