
Shërbimet e Policisë Rrugore në Vlorë vijojnë monitorimin intensiv të qarkullimit, me pajisje bashkëkohore, në të gjitha akset rrugore dhe pikat hyrëse-dalëse të qarkut, për rritjen e sigurisë rrugore, parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.
Në fokus të kontrolleve të Policisë Rrugore janë drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë me mjet, në efektin e alkoolit dhe/ose pa leje drejtimi, tejkalojnë shpejtësinë e lejuar apo kryejnë manovra të rrezikshme, shkelje që përbëjnë ndër shkaqet kryesore të ngjarjeve rrugore me pasoja.
Si rezultat i kontrolleve të intensifikuara dhe i monitorimit të vazhdueshëm të qarkullimit rrugor, gjatë 2 javëve të para të muajit shtator, janë arrestuar dhe proceduar penalisht 11 drejtues mjetesh, konkretisht:
-2 janë arrestuar për drejtim të mjetit, në gjendje të dehur;
-3 janë proceduar penalisht për drejtim të mjetit, në efektin e alkoolit;
-6 janë proceduar penalisht për drejtim të mjetit, pa leje drejtimi.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe janë vendosur masa administrative për shkelje të ndryshme, si:
- 780 masa administrative për parkime të gabuara;
- 720 masa administrative për tejkalim të kufijve të shpejtësisë;
- 404 masa administrative për mospërdorim të kaskës mbrojtëse;
- 56 masa administrative për mospërdorim të rripit të sigurimit;
- 47 masa administrative për parakalime të gabuara;
- 37 masa administrative për xhama të zinj;
- 19 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;
- 8 masa administrative për mosdhënie përparësie këmbësorëve;
- 336 masa administrative për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore vijon monitorimin dhe kontrollet në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut Vlorë, duke përdorur pajisje dhe mjete logjistike bashkëkohore, me qëllim evidentimin e shkeljeve, parandalimin e ngjarjeve rrugore dhe rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjeteve dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi rrugor më të sigurt për të gjithë.
