PS dhe PD ulën përkohësisht armët. Dënimi me 81 vite burg i katër liderëve të UÇK-së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit i ka bashkuar ata në zhgënjimin ndaj gjykatës së Hagës.
“Vendim që e konsideron të padrejtë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. Kuvendi rithekson një të vërtetë historike: Lufta e UÇK-së ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës, ishte lufta e një populli për t’i dhënë fund represionit, dhunës dhe përndjekjes.
Ajo lindi si përgjigje ndaj represionit sistematik, spastrimit etnik dhe gjenocidit të kryer nga Millosheviçi. UÇK-ja ishte forcë vendimtare e rezistencës së popullit të Kosovës. Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë të pandashëm nga kjo histori, nga rrugëtimi i Kosovës drejt lirisë.
Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli, nuk mund të zhbëjë sakrificën e UÇK-së.
Kuvendi shpreh shqetësimin për standardet e dyfishta. Nderimet publike që u rezervohen personave të dënuar për krime lufte dhe glorifikimi i Mladiçit cenojnë pengesën e viktimave, pengojnë pajtimin dhe bien ndesh me vlerat evropiane”, tha Peleshi.
Kjo deklaratë u parapri nga akuzat e opozitës se shteti shqiptar nuk ka bërë sa duhet për Kosovën.
“Rama i futi thikën pas shpine Kosovës, shkoi dhe diktoi votimin e një ligji që nuk votohej kurrë. Shkoi i deleguar i Aleksandër Vuçiç. Shkoi kreu porositë e Vuçiç, e dëgjove o kryetar të thotë një fjalë të vetme. Çfarë tha ai për këtë që ndodhi në Hagë. Ku e keni ministrin”, tha Berisha.
“Lot krokodili për dënimin e liderëve të UÇK-së. Elita këtu, Edi Rama në veçanti ka dashur dënimin e tyre. Çfarë ka bërë shteti shqiptar? Keni hedhur para për lobim? Zero”, tha Erald Kapri.
“Nuk është gjithçka marrëveshje biznesi”, iu përgjigj Peleshi.
Opozita thotë se nuk mjafton vetëm deklarata e përbashkët. Për të detyra e Kuvendit është të dënojë zyrtarisht përmes një rezolute genocidin serb mbi Kosovën, në përmbajtje të së cilës duhet të jetë kërkesa ndaj shtetit të Serbisë të njohë Kosovën. Kërkesë, e cila ende nuk është pranuar nga maxhoranca.