
Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin dhe la në fuqi dënimin për dy mjekët Petrit Rexhepi dhe Elona Burba të cilët u gjetën fajtorë për "mjekim të pakujdesshëm" ndaj të ndjerës Dorjana Haka, ish-gruas së futbollistit Albana Hoxha.
Burba u dënua me 1 vit burgim, i cili iu konvertua në dy vite shërbim prove, ndërsa iu hoq e drejta e ushtrimit të profesionit të mjekut për një periudhë prej dy vitesh.
Petrit Rexhepi u dënua me 6 muaj burgim, që iu konvertua në shërbim prove prej 1 viti. Rekursi në Gjykatën e Lartë u dorëzua nga Burba, por gjykata vendosi të mos e pranojë pasi nuk gjeti asnjë shkelje nga procesi gjyqësor.
"Kolegji vlerëson se rekursi i paraqitur nga e gjykuara Elona Burba nuk është i bazuar dhe nuk e cenon vendimin e gjykatës së apelit, objekt rekursi. Kolegji konstaton se e gjykuara nuk pajtohet me vendimin e gjykatës së apelit, si sa i takon vërtetimit të përgjegjësisë penale për veprën penale “Mjekimi i pakujdesshëm”, ashtu edhe sa i takon dënimit të caktuar ndaj të gjykuarës. Lidhur me fajësinë e të gjykuarës Elona Burba për kryerjen e veprës penale “Mjekimi i pakujdesshëm”, Kolegji vlerëson se argumentet e dhëna nga gjykata e apelit janë të drejta dhe rrjedhojë e një analize të kujdesshme dhe në respekt të ligjit. Nuk rezulton që nga kjo gjykatë të ketë shkelje të ligjit material ose procedural penal"- thuhet mes të tjerash në arsyetimin e Gjykatës së Lartë. Versus.al

