Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masën e sigurimit “Arrest me burg” për Ertis Shehun, ish-kreu i Kadastrës Fier, dhe Ervin Habilaj, i dyshuar si përfitues i gjashtë pronave të regjistruara në mënyrë të kundërligjshme.
Ndërkohë, për Emiljano Ruko, ish-hartograf pranë ASHK Fier, është caktuar masa “Detyrim për t’u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore”.
Sipas Prokurorisë, çështja lidhet me dyshimet për përfitim dhe regjistrim të kundërligjshëm të pasurive të paluajtshme në zonën e Levanit dhe Dërmënasit, si dhe me tjetërsimin e tyre përmes shitjes.
Në vitin 2008, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kishte njohur të drejtën e kompensimit për 100 hektarë tokë bujqësore në këtë zonë. Një prej trashëgimtarëve, Ervin Habilaj, kishte përfituar më pas kompensim financiar në vlerën 53.8 milionë lekë.
Megjithatë, sipas hetimit, gjatë vitit 2023 Ervin Habilaj ka ndjekur procedurat për regjistrimin e 6 pasurive, me një sipërfaqe totale prej rreth 71.7 hektarësh, duke iu referuar një vendimi të vitit 2008.
Prokuroria dyshon se në këtë proces kanë pasur rol Ertis Shehu, ish-kreu i ASHK Fier, dhe ish-hartografi Emiljano Ruko, në lidhje me trajtimin administrativ dhe kadastral të dokumentacionit të përdorur për regjistrimin e pronave.
Pas regjistrimit, disa prej pasurive dyshohet se janë shitur, duke gjeneruar të ardhura në vlera të konsiderueshme.
Gjatë hetimit janë sekuestruar edhe 715.976 euro, të cilat ndodheshin në një llogari bankare të shtetasit Ervin Habilaj, si dhe dokumente, pajisje elektronike dhe materiale të tjera që do t’i nënshtrohen verifikimeve.













