Pas arrestimeve të kryera pak ditë më parë lidhur me një çështje pronash në Fier, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për ish-drejtorin e ASHK-së Fier, Ertis Shehu, si dhe për personin që dyshohet se ka përfituar pronat.
Për një ish-hartograf të ASHK-së, organi i akuzës ka kërkuar një masë më të lehtë sigurie.
Në fokus të hetimit janë gjashtë prona në zonën e Levanit, me një sipërfaqe totale prej rreth 71.7 hektarësh. Sipas Prokurorisë, dyshohet se pronat janë regjistruar gjatë vitit 2023, duke përdorur dokumentacion të falsifikuar.
Bëhet fjalë për toka që lidhen me një vendim të vitit 2008, përmes të cilit ishte njohur e drejta e kompensimit për 100 hektarë tokë bujqësore në zonat e Levanit dhe Dërmënasit.
Një prej trashëgimtarëve, E.H., kishte përfituar në vitin 2018 një kompensim financiar prej 53.8 milionë lekësh. Megjithatë, sipas hetimeve, më vonë ai ka ndjekur procedurat për regjistrimin e gjashtë pronave, të cilat në total kapin një sipërfaqe prej rreth 71.7 hektarësh.
Prokuroria dyshon se në këtë proces kanë pasur rol edhe ish-drejtori i ASHK-së Fier, Ertis Shehu, dhe ish-hartografi i institucionit, duke lehtësuar regjistrimin e këtyre pasurive.
Pas regjistrimit, disa prej pronave dyshohet se janë shitur, duke gjeneruar të ardhura të konsiderueshme. Për këtë arsye, hetuesit po verifikojnë transaksionet e kryera, lëvizjet financiare dhe destinacionin e parave.
Në kuadër të hetimit, autoritetet kanë sekuestruar gjithashtu 715.976 euro nga llogaria bankare e E.H., ndërsa për verifikim janë marrë edhe dokumente dhe pajisje elektronike.
Hetimi vijon për të dokumentuar të gjitha rrethanat e regjistrimit të pronave, transaksionet e mëvonshme dhe rolin e personave të përfshirë në këtë procedurë.


