Nga Irena Beqiraj
Qeveria vazhdon të na sigurojë se ekonomia po ecën mjaft mirë. Kjo gjë është teknikisht e vërtetë vetëm nëse zotëron ndonjë kontratë koncesioni, port apo aeroport; nëse je furnizues pa garë i shërbimeve tek AKSHI, apo furnizuesi me makina a veshje i ushtrisë; nëse zotëron ndonjë kazino; ose nëse je furnizuesi i vetëm në treg për ilaçet kundër ankthit.
Për të gjithë të tjerët, ecuria e mirë ekonomike tingëllon teorike. Edhe nuk po bëj as politikë, as kritikë, thjesht një përshkrim të asaj që një shqiptar i zakonshëm, pa pushtet ekonomik apo politik, përjeton çdo ditë.
Papunësia është ulur, por shqiptarëve u duhet të punojnë dy punë për të përballuar privilegjin e blerjes së ushqimeve, një pjesë e të cilave, megjithëse gjenden nëpër raftet e dyqaneve, u ngjajnë xhevahireve të rralla në një ekspozitë muzeale.
Në Shqipëri, një paketim me 10 vezë kushton 3,9 euro, ndërsa në Europë, mesatarisht, kushton 3 euro.
Një litër qumësht i zakonshëm në Shqipëri kushton 1,9 euro, çmim ky dukshëm më i lartë se mesatarja e tij në Bashkimin Europian.
Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat-it, kostoja e kombinuar e produkteve të qumështit, mishit dhe vezëve në Shqipëri është rritur ndjeshëm, duke arritur në 35,6% mbi mesataren e BE-së. Perimet dhe frutat, po ashtu, janë më të shtrenjta se në BE.
Ndaj, çdo vizitë në supermarket, për një familje me të ardhura mesatare, është kthyer në një ngjarje të rëndësishme financiare dhe, si e tillë, çdo dalje për pazar kërkon një mbledhje urgjente familjare.
Por shpresa vdes e fundit.
Janë çmimet e karburanteve që luhaten, si për të na e mbajtur atë gjallë. Ato bien me pesë lekë, për të mos vrarë njëherë e mirë optimizmin tonë, dhe më pas rriten me njëzet lekë, si për të na kujtuar se, për çmimin e karburantit, vazhdojmë me kokëfortësi të kryesojmë renditjen në Europë.
Ndërkohë, edhe strehimi ka evoluar. Nga një domosdoshmëri bazë është kthyer në një ëndërr të çmuar, njëlloj si dalja në pension apo arritja e paqes së brendshme. Të rinjtë tani flasin për pronësinë e një shtëpie në të njëjtën mënyrë siç flisnin fshatarët mesjetarë për mundësinë për t’u bërë mbretër. Si froni dikur, edhe banesa sot mund të arrihen ose si trashëgimtarë, ose me ndërhyrjen hyjnore.
Ndërsa një sëmundje, dhëntë Zoti të mos jetë e gjatë dhe e vështirë, sepse më shumë se 43% e shqiptarëve mund të kthehen sa hap e mbyll sytë në të varfër.
Pagat, natyrisht, janë rritur, por jo me të njëjtin vrull entuziast siç ka ndodhur me çmimet apo fitimet e 200 kompanive më të mëdha. Ndërsa paga mesatare e shqiptarit të thjeshtë ecën me ritmin e një burri të moshuar, rritja e çmimeve, paga e deputetit dhe fitimet e kompanive janë të shpejta si një atlet profesionist njëzetvjeçar.
Por shqiptarët duhet të dëgjojnë edhe t’i gëzohen lajmit se “ekonomia është e fortë dhe e qëndrueshme, edhe se leku është forcuar”. Ndaj socialistët i përsërisin këto vazhdimisht.
Veçse kjo qëndrueshmëri vetëm në statistika e ka kthyer jetën në Shqipëri në një sprovë gjigante rezistence, ku qytetarët gjenden pa mbrojtje ndaj rritjes së pakontrolluar të faturave dhe ku “klasa e mesme” nuk është më një kategori sociale, por një referencë historike nostalgjike.
Për zbutjen e kostove të jetesës, qeveria ka 13 vjet që rrotullon pa rezultat të njëjtat programe e ide (borde, pasqyra, programe strehimi). I rrotullon në të njëjtën mënyrë siç rrotullojmë çdo darkë Listerinën në gojë, për të parandaluar shpërthimin e ndonjë revolte akute, por kurrsesi për të adresuar problemin.
Qeveria dhe institucionet nuk po ndërhyjnë në shkaqet strukturore: mungesën e konkurrencës, informalitetin, zinxhirët e furnizimit, funksionimin e tregjeve dhe korrupsionin. Në mënyrë qesharake, rikthehet e njëjta retorikë e ndërhyrjes administrative te shitësit e pakicës, kur fitimet shkojnë te monopolet dhe oligopolet e shumicës.
Ndaj, këto programe mund t’i zbusin kostot e jetesës aq sa parashikimi i motit mund të zgjidhë zinë e bukës.
Edhe kjo është gjëja më qesharake e politikës. Flasin për koston e jetesës sikur ajo të ishte ndonjë studim statistikor dhe jo halli më i madh i përditshmërisë së shqiptarit.
© SYRI.net
Kurti: Është konfirmuar identiteti i tri viktimave nga varret masive në Zubin Potok, i përkasin 'Grupit të Intelektualëve'
Berisha: Procesi i Ripërtëritjes sonë, është një proces jetik për Ripërtëritjen e Shqipërisë
Këlliçi: Edi Rama, 12 ditë heshtje për koordinatorin e punëve të pisëta, Ron Yeffet!