Të shtëna me armë zjarri ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në një kantier ndërtimi në rrugën “Selaudin Zorba” në Tiranë. Sipas njoftimit të policisë, shtetasi Xh., 45 vjeç dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër, si pasojë ka mbetur i plagosur lehtë menaxheri i firmës së kantierit.
Sipas informacioneve paraprake, autori është larguar menjëherë nga vendngjarja. Policia ka mundur ta identifikojë dhe ka ngritur pika kontrolli në zona të ndryshme të Tiranës, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tij. Paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit, për motive ende të paqarta.
Policia vijon kontrollet për lokalizimin dhe arrestimin e autorit, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Identifikohet dhe shpallet në kërkim një 45-vjeçar, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër, ku mbeti i dëmtuar lehtë një shtetas.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas njoftimit të marrë se rreth orës 03:30, në rrugën “Selaudin Zorba”, një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri në ajër, organizuan menjëherë punën dhe shkuan në vendngjarje, për të sqaruar rrethanat dhe autorësinë e rastit.
Si rezultat i veprimeve të para hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit Xh. Xh., 45 vjeç, i cili u shpall në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
45-vjeçari, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Si pasojë në afërsi të vendit të ngjarjes ndodhej shtetasi M. G., 37 vjeç, i cili ka mbetur i dëmtuar lehtë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme
