Dy shqiptarë janë dënuar me burgim në Francë, pasi u shpallën fajtorë për përfshirje në një rrjet trafiku heroine që vepronte në rajonin Haut-Bugey.
Mediat franceze shkruajnë se hetimi i policisë gjyqësore të Oyonnax nisi në mars dhe u intensifikua gjatë verës përmes survejimeve dhe vëzhgimeve në terren.
Sipas hetuesve, droga shpërndahej përmes një llogarie në WhatsApp, ndërsa takimet me klientët zhvilloheshin në zona të pyllëzuara pranë komunave Echallon dhe Samognat.
Policia nisi hetimet pas një denoncimi anonim për një trafik droge të drejtuar nga shtetas shqiptarë. Autoritetet dyshuan se bëhej fjalë për riaktivizimin e një rrjeti të njohur më parë si “Ronaldo”, për shkak të mënyrës së ngjashme të funksionimit dhe paketimit të drogës.
Njëri prej të arrestuarve, Armando Rexhepi, 40 vjeç, ishte identifikuar nga hetuesit gjatë lëvizjeve të tij mes Oyonnax dhe pikave të shpërndarjes. Në momentin e arrestimit, më 14 shtator, ai kishte me vete 38 qese me heroinë, me peshë totale 188 gramë, si dhe 12 doza kokaine, me peshë 11 gramë. Bashkë me të u arrestua edhe 24-vjeçari Enea Kica. Në apartamentin ku qëndronte u gjetën dy çanta me dhjetëra qese heroine, 8.080 euro cash, peshore precize, celofan dhe materiale të tjera për paketimin e drogës.












