Bota

Gjyshja e armatosur “kokë e këmbë”, ja se çfarë iu gjet në banesë!

Një kontroll policor në banesën e një pensionisteje në Shën Petersburg ka përfunduar me një zbulim të pazakontë: një arsenal i tërë armësh, municionesh dhe lëndësh shpërthyese. Sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Brendshme ruse, gjatë kontrollit në apartament u sekuestruan disa granata, dy pushkë, një armë gjahu, si dhe plot 2,152 fishekë.

Por inventari nuk përfundonte këtu. Efektivët gjetën gjithashtu 18 pjesë të ndryshme armësh dhe një kavanoz me barut. Sasia e madhe e armatimit të gjetur në banesën e pensionistes ka tërhequr vëmendjen në mediat dhe rrjetet sociale ruse, ku ngjarja është shoqëruar edhe me komente ironike, duke e krahasuar “arsenalin e gjyshes” me atë të Adam Kadyrov, djalit të liderit çeçen Ramzan Kadyrov.

Rasti ka ngritur pikëpyetje mbi origjinën e armëve dhe arsyen pse një arsenal i tillë mbahej brenda apartamentit. Autoritetet po hetojnë për të përcaktuar se kujt i përkisnin armët, si kishin përfunduar në banesën e pensionistes dhe nëse ato kishin lidhje me persona të tjerë.