Vrau gruan me thikë, kapet në Kamëz autori i dyshuar i krimit

Policia ka arrestuar në Kamëz Hysni Patushin, i dyshuar se vrau me thikë bashkëshorten e tij, Lumturie Patushi. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e kësaj të shtune në Tiranë.
Viktima u godit me thikë në gjoks dhe u transportua në spital, por plagët rezultuan fatale. Lumturie Patushi kishte shkuar në banesën e vajzës së çiftit për të mbajtur nipërit.
Në momentin e krimit, në banesë ndodheshin edhe nipi i mitur i çiftit dhe dhëndri i tyre. Ky i fundit është shoqëruar në polici, ku po merret në pyetje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të konfliktit që çoi në vrasjen e bashkëshortes.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Vrau me mjet prerës bashkëshorten, vihet në pranga 68-vjeçari.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, bëjmë me dije se, shtetasi H. P., 68 vjeç, i dyshuar se ka goditur me mjet prerës bashkëshorten e tij, shtetasen L. P., 58 vjeçe, e cila si pasojë ka humbur jetën, është lokalizuar dhe vënë në pranga nga shërbimet e Policisë.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.




