E shtunë, 19 Shtator 2026 Trazira në Parajsë deri në 14:10 Në vijim ora 14:10: Zilia Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Shqipëria firmos me NASA, bëhet pjesë e marrëveshjeve Artemis për eksplorimin e hapësirës, reagon ambasada e SHBA

Ilustrim · Vizion Plus

Shqipëria do t’i bashkohet zyrtarisht Marrëveshjeve Artemis, një nismë ndërkombëtare e udhëhequr nga NASA dhe Shtetet e Bashkuara për bashkëpunimin në eksplorimin paqësor të hapësirës.

Ceremonia e nënshkrimit do të zhvillohet të hënën, më 21 shtator, në orën 18:00, në selinë e NASA-s. Me këtë hap, Shqipëria do të bëhet vendi i 73-të që i bashkohet Marrëveshjeve Artemis.

Në një reagim në rrjetin social, ambasada e SHBA në Tiranë shkruan: “Një hap gjigant për Shqipërinë! Shqipëria do të nënshkruajë Marrëveshjet Artemis më 21 shtator në selinë e NASA-s në Washington, duke u bërë vendi i 73-të që i bashkohet kësaj nisme, e cila përfshin një sërë parimesh praktike që synojnë të rrisin sigurinë, transparencën dhe koordinimin e eksplorimit civil të hapësirës në Hënë, Mars dhe më gjerë”.

Me anëtarësimin në këtë nismë, Shqipëria do të bashkëpunojë me vendet e tjera në fushën e hapësirës. Kjo do të thotë shkëmbim informacioni dhe njohurish shkencore, bashkëpunim në projekte dhe respektim i rregullave të përbashkëta për përdorimin paqësor dhe të sigurt të hapësirës.

Përmes këtij bashkëpunimi, institucionet, universitetet dhe studiuesit shqiptarë mund të kenë mundësi të marrin pjesë në projekte dhe të shkëmbejnë njohuri me partnerë ndërkombëtarë.

Marrëveshjet u krijuan në vitin 2020 nga Shtetet e Bashkuara, përmes NASA-s dhe Departamentit të Shtetit, së bashku me shtatë vendet e tjera themeluese. Ato synojnë të vendosin një grup parimesh të përbashkëta për eksplorimin civil të Hënës, Marsit dhe hapësirës përtej tyre.

Parimet e tyre mbështeten në Traktatin e Hapësirës së Jashtme dhe në dokumente të tjera ndërkombëtare që rregullojnë aktivitetet në hapësirë.

Mes tyre janë përdorimi paqësor i hapësirës, regjistrimi i objekteve hapësinore, shkëmbimi i të dhënave shkencore, ndihma në raste emergjencash dhe shmangia e ndërhyrjeve të dëmshme mes misioneve.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.