Identifikohen tri viktima nga varrezat në Zubin-Potok, Kurti: I përkasin “Grupit të Intelektualëve”

19 Shtator 2026 | 14:30

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron për një vizitë në SHBA në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka njoftuar se tashmë kanë dalë rezultatet e para të ADN-së për mbetjet mortore të zhvarrosura në Klludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Kurti thotë se analizat e ADN-së vërtetojnë lidhjen me personat e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, qytetarë të Skenderajt dhe Mitrovica të rrëmbyer dhe zhdukur më 19 prill 1999 nga forcat serbe.

Për tri viktimat e identifikuara, Kurti tregon se janë njoftuar familjarët, të cilët marrin përgjigje pas 27 vitesh

Njoftimi i plotë i Albin Kurtit:

Në nisje të vizitës sime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u njoftova nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur se janë pranuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur tri raportet e para të ADN-së, nga mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Në më pak se dy muaj nga konfirmimi i varrit të parë masiv, analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, duke vërtetuar lidhjen me personat e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe.

Raportet e ADN-së janë ndarë me Institutin për Mjekësi Ligjore dhe mënjëherë, sot, përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të Institutit kanë njoftuar familjet e tri viktimave të identifikuara.

Në ditët dhe javët në vijim, presim të pranojmë edhe raportet e tjera për mostrat e dërguara për identifikim përmes analizës së ADN-së, me shpresën që edhe familjet e tjera të marrin përgjigjet që presin prej 27 vitesh. Asnjë përgjigje nuk mund ta shuajë dhimbjen e humbjes, por njohja e së vërtetës i jep fund ankthit të pritjes për të mësuar fatin e më të dashurve.

Më 27 korrik u konfirmua gjetja e varrit masiv në Kalludër. Gjatë vizitës në këtë lokacion, theksova se është jetike që faktorët ndërkombëtarë, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian, të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar më 2 maj 2023 në Bruksel, veçanërisht për hapjen e menjëhershme të arkivave, përfshirë arkivin e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka kryer masakra në Kosovë, posaçërisht në Drenicë, dhe dokumentacionin e së cilës Serbia ka klasifikuar në vitin 2014 për një periudhë prej tridhjetë vjetësh.

Përkushtimi ynë institucional do të vazhdojë me kërkime në terren, mbështetje për procesin e identifikimit dhe komunikim të drejtpërdrejtë e të kujdesshëm me familjet. Do të qëndrojmë pranë tyre dhe do t’i mbështesim në kërkesat për të vërtetën, drejtësinë dhe kthimin me dinjitet të më të dashurve.

Zbardhja e fatit të çdo personi të zhdukur me dhunë është prioritet shtetëror i Republikës së Kosovës dhe detyrim njerëzor, që mbetet i hapur për sa kohë qoftë edhe një familje pret përgjigje.

Edhe gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara dhe në takimet në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ashtu si çdo ditë në punën time dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës e vërteta për fatin e më të dashurve tanë dhe drejtësia për viktimat e familjet e tyre do të jenë në qendër të angazhimit tonë. Pjesë e pandashme e kësaj agjende do të jetë kërkesa që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e zotimeve të marra, hapjen e arkivave dhe ofrimin e informacionit që mundëson zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

U dënuan nga Gjykata e Hagës, Veliaj propozon shpalljen “Qytetarë Nderi” për katër ish-krerët e UÇK-së

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar këtë të shtunë nga qelia për sa i përket vendimit të Gjykatës së Hagës ndaj ish-krerëve...
14:18 | 19/09/2026

Vendimi i Hagës për ish-krerët e UÇK-së, Berisha: Asgjë nuk e nxin luftën çlirimtare të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një komunikim në rrjetin social këtë të shtunë me qytetarë, ka folur sërish për vendimi e Gjykatës  së...
14:00 | 19/09/2026

Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, Vokshi tregon prapaskenat: Lidhet me konfliktin e Thaçit me Gjermaninë

I ftuar në “Review” me Greta Topjanën, analisti Indrit Vokshi solli një tjetër interpretim mbi atë që, sipas tij, fshihet pas dënimit të ish-krerëve të...
22:32 | 18/09/2026