AKTUALITET /

I operuar dhe i shtruar disa herë, por pa diagnozë, rasti i çuditshëm i Albit, prej 4 vitesh nën dhimbje, QSUT dhe ministria i bëjnë “ping pong”

37 vjeçari dhe familja e tij në vështirësi ekonomike, janë lënë "në mëshirë të fatit" duke mos u dhënë asnjë diagnozë për dhimbjet që po kalon prej disa vitesh tanimë.

Shkruar nga Versus
I operuar dhe i shtruar disa herë, por pa diagnozë, rasti i
Albi Sula

Sektori i shëndetësisë në Shqipëri paraqitet si një ndër më problematikët, me qytetarët që përveçse nuk kanë mundësi të mbulojnë kostot e shërbimeve që supozohej të ishin falas, shpesh herë as nuk diagnostifikohen apo trajtohen për shqetësimet që kanë. I tillë është edhe rasti i 37 vjeçarit Albi Sula i cili prej vitesh përplaset nëpër spitale e zyra të ministrisë së Shëndetësisë pa gjetur asnjë zgjidhje.

Në 2022-in atij iu shfaq një problem me nyjet limfatike të qafës dhe në vitin 2024 u operua në spitalin Onkologjik ku iu hoq një masë indi rreth 24 mm për t’u dërguar për biopsi.

“Prej 4 vitesh më janë shfaqur dhimbje në trup për shkak të një problemi me numrin e lartë të rruazave të bardha”- shprehet Albi për Versus.al duke nënvizuar se nuk ka marrë asnjë trajtim mjekësor për t’u qetësuar.

Pas operimit në vitin 2024 duke qenë se nuk kishte asnjë diagnozë për sëmundjen e tij, pas shumë peripecish Komisioni Mjekësor Ndërspitalor miratoi vendimin që Albi të kryente analizat në Turqi, mirëpo me shpenzimet e tij.

I operuar dhe i shtruar disa herë, por pa diagnozë, rasti i

Në kushtet kur e ëma merr një pension qesharak prej 7 mijë lekësh në muaj dhe i ati invalid merr 10 mijë lekë në muaj, familja u detyrua të merrte borxhe të shumta për të përballuar udhëtimin dhe analizat në shtetin turk. Përgjigjia ishte se rasti i tij duhej të trajtohej nga onkologu ose hematologu. Në pamundësi financiare për të vijuar trajtimin mjekësor në Turqi, Albi dhe e ëma u detyruan të ktheheshin në Shqipëri ku nisën një tjetër kalvar vuajtjesh në dyert e spitaleve dhe ministrisë.

I operuar dhe i shtruar disa herë, por pa diagnozë, rasti i
Përgjigjet e analizave në Turqi

Ai rrëfen se dhimbjet po bëheshin të padurueshme, ndërkohë nga ana tjetër hematologu Arben Ivanaj i thoshte se nuk ka problem me numrin e lartë të rruazave të bardha dhe onkologu Elidon Mina i cili e kishte operuar, i thoshte se problemi që Albi kishte ishte për t’u trajtuar në psikiatri dhe jo tek onkologjiku.

Nga ana tjetër, 37 vjeçari thotë se psikiatri i qëndronte faktit se ai ishte për trajtim tek onkologjiku, pra një sorollatje mes të cilës i vetmi që vuante ishte Albi dhe familja e tij.

Në këtë kohë kur shpresa shihej tek ministria e Shëndetësisë, edhe kjo e fundit bëhet pjesë e kalvarit të vuajtjeve të 37 vjeçarit. Pasi komisioni ndërspitalor i kishte miratuar një tjetër referencë për trajtim në Turqi, ky vendim u anulua pa asnjë shpjegim. Pra përveç faktit që operimi nuk i hoqi dhimbjet dhe mungesës së diagnozës për rastin e tij, i refuzohet edhe kërkesa e bërë për trajtim në Turqi.

I operuar dhe i shtruar disa herë, por pa diagnozë, rasti i

Pavarësisht se shteti nuk e ka ndihmuar financiarisht, shqetësues mbetet arrogance dhe neglizhenca e zyrtarëve të ministrisë së Shëndetësisë. Nënë e bir tregojnë se zv.ministrja Eugena Tomini dhe së fundmi Evis Sala nuk u kishin kushtuar vëmendje për shqetësimin e tyre duke u kërkuar vazhdimisht të prisnin.

Si të mos mjaftonte kjo, 37 vjeçari përballet edhe me neglizhencën nga ana e mjekëve të onkologjikut të cilët përpiqen thjesht ta injorojnë dhe ta ‘përcjellin’ tek psikiatri për dhimbje që ky i fundit nuk ka sesi i trajton.

Në këto kushte, Albi dhe familjarët e tij bëjnë thirrje për ndihmë financiare pasi prej vitesh 37 vjeçari e ka të pamundur të punojë për shkak të dhimbjeve të shumta, ndërsa i vetmi burim të ardhurash në familje është pensioni qesharak që shteti i jep nënës së tij me 7 mijë lekë të reja në muaj dhe babait të tij invalid me 10 mije lekë në muaj. Gjendur në kushtet kur institucionet nuk e dëgjojnë dhe mjekët nuk e përfillin, 37 vjeçari kërkon ndihmën e shqiptarëve që t’i rikthehet jetës së mëparshme. Kushdo që ka dëshirë të ndihmojë Albin, mund ta kontaktojë në këtë numër telefoni: ‪069 2300 260.  Versus.al

Poll