Kryeministri Edi Rama është nisur këtë të shtunë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Sesioni i 81-të i Asamblesë së Përgjithshme zhvillon Debatin e Përgjithshëm nga 22 deri më 26 shtator dhe më 28 shtator. Rama pritet të mbajë fjalën e tij të premten, më 25 shtator.
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, kreu i qeverisë do të marrë pjesë në pritje zyrtare, aktivitete të nivelit të lartë dhe takime me përfaqësues të politikës, ekonomisë dhe organizatave ndërkombëtare. Në agjendë janë parashikuar gjithashtu takime me shqiptarë të diasporës që jetojnë dhe punojnë në SHBA.
Një nga çështjet që mund të jetë pjesë e qëndrimit të Ramës në SHBA është edhe situata pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Rama e komentoi vendimin e gjykatës me fjalën “Marre”.
Kryeministri shqiptar e ka ngritur edhe më herët në forumet ndërkombëtare çështjen e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Gjatë një fjalimi në SHBA, në shkurt të këtij viti, ai iu drejtua presidentit amerikan me një apel për të ndërhyrë përpara se, sipas tij, të ndodhnin pasoja të rënda.
“Për hir të Zotit, zoti president, le të bëjmë diçka përpara se, siç thoni ju, gjëra shumë të këqija të mund të ndodhin sërish”, tha Rama asokohe.
Përveç angazhimeve në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Rama do të zhvillojë takime me komunitetin shqiptar në SHBA. Në këtë vizitë ai shoqërohet nga bashkëshortja Linda Rama dhe delegacioni zyrtar.
Para nisjes drejt SHBA-së, kryeministri zhvilloi një takim me drejtuesit politikë në kuadër të procesit “Prania Besnike”, duke u kërkuar socialistëve të vijojnë punën për zgjidhjen e shqetësimeve të qytetarëve.


