Berisha: Jemi vonë për “lokalet”! Kreu i PD lë të hapur edhe mundësinë e anulimit të primareve

Lideri i partisë më të madhe të opozitës, Sali Berisha doli këtë të shtunë në bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale për herë të parë pas vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sot Berisha mund të numërojë disa fitore jo të lehta; ai ia doli të tregojë se është lideri i padiskutueshëm i demokratëve; ai ia doli të heqë sanksionet e vendosura ndaj tij nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe ia doli të udhëtojë në Amerikë dhe mori pjesë në konventën e Partisë Republikane ku ishte presidenti Donald Trump.
Por tashmë sfida e Sali Berishës janë zgjedhjet lokale të 2027 dhe ai vetë pranoi se Partia Demokratike është vonë në lidhje me përgatitjet për garën elektorale përballë Edi Ramës dhe PS.
“Ne po punojmë në këtë drejtim, por duhet të shpejtojmë“, tha Berisha.
Për herë të parë prej vitit 2021 kur gjatë lëvizjes “Foltorja” Berisha premtoi zhvillimin e primareve për përzgjedhjen e kandidatëve për parlamentin dhe bashkitë; Berisha la të hapur se ato edhe mund të mos zhvillohen.
“Personalisht jam për primaret, por primareve tona u mungon seleksionimi. Për momentin ka ide për pa primare, ka ide për primare me seleksion dhe unë jam më shumë për këtë të dytën“, shtoi Berisha.
Kryetari i PD Berisha komentoi edhe lëvizjet e fundit në qeveri, duke deklaruar se ministri i ri i brendshëm e mori këtë detyrë për shkak të lidhjeve me drejtuesin e SPAK-ut.
“Ky është mik i ngushtë me kreun e SPAK-ut, se Edi Rama nuk është se nuk përjeton terrore, se mendon se do t’i shkojnë ta arrestojnë në zyrë. Mendon se do t’i shkojnë t’ia kontrollojnë zyrën. T’ia kontrollojnë shtëpinë. Sado që i ka në kontroll, prapë i ka frikë“, tha kreu i PD.
Ndërkaq Berisha u bëri apel demokratëve të mbështesin protestën e qytetarëve si një prej lëvizjeve më të rëndësishme kundër kryeministrit Edi Rama.




