26 efektivë të Forcave të Armatosura kanë nisur kursin intensiv 3-mujor të gjuhës angleze pranë Departamentit të Gjuhëve të Huaja, në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë.
Kursi ka në fokus jo vetëm përmirësimin e njohurive në gjuhën angleze, por edhe përdorimin e saktë të terminologjisë tekniko-ushtarake, me qëllim përgatitjen e personelit për komunikim dhe angazhime në struktura të përbashkëta shumëkombëshe.
Me rastin e nisjes së kursit, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi një bashkëbisedim me kursantët dhe pedagogët. Ai e cilësoi formimin gjuhësor një element të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve të personelit ushtarak.
“Në një mjedis sigurie gjithnjë e më të integruar dhe shumëkombësh, zotërimi profesional i gjuhës së huaj dhe veçanërisht, aftësia për të përdorur saktë terminologjinë tekniko-ushtarake, është një komponent i rëndësishëm i kapaciteteve të personelit ushtarak”, u shpreh Nufi.
Sipas ministrit, ky formim lidhet drejtpërdrejt edhe me bashkëpunimin e Forcave të Armatosura me NATO-n.
“Ky formim kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e ndërveprueshmërisë së Forcave të Armatosura me NATO-n dhe në përgatitjen e personelit për të vepruar me efektivitet në struktura, misione dhe angazhime të përbashkëta shumëkombëshe”, tha Nufi.
Ministri vlerësoi gjithashtu punën e pedagogëve të Departamentit të Gjuhëve të Huaja, duke i falënderuar për përgatitjen profesionale, përkushtimin dhe standardin teknik të punës gjatë formimit të kursantëve.


