web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Katër burra që hynë në histori dhe një kryetar bashkie që nuk di të dalë nga karrigia

19 Shtator 2026, 15:14, Editorial CNA

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë katër figura të lidhura pazgjidhshmërisht me historinë politike dhe çlirimtare të Kosovës. Kanë qenë në krye të një lufte, të një projekti politik dhe më pas të institucioneve të shtetit të Kosovës. Sot janë të dënuar në Shkallë të Parë nga Dhomat e Specializuara në Hagë, me dënime që variojnë nga 13 deri në 25 vjet.

Por edhe në atë moment dramatik, ka një detaj që nuk mund të anashkalohet. Hashim Thaçi u ngrit në këmbë për të dëgjuar dënimin e tij. Ai kishte dhënë dorëheqjen nga Presidenca e Kosovës dhe kishte shkuar në Hagë për t’u përballur me procesin.

Por ja ku shfaqet Erion Veliaj.

Nga burgu i Durrësit, ky njeri mendon se duhet t’u japë këtyre burrave titullin “Qytetar Nderi” të Tiranës. Kjo është pothuajse një skenë satire.

Katër burra që hynë në histori dhe një kryetar bashkie
Postimi i Erion Veliajt

Këtu nuk është problemi nëse dikush pajtohet apo nuk pajtohet me vendimin e Hagës. Shqipëria madje, përmes Kuvendit, ka shprehur publikisht kundërshtimin ndaj vendimit dhe solidaritetin me Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin.

Problemi është kush po e jep nderin dhe nga ku po e jep.

Katër njerëz që kanë hyrë në historinë e Kosovës në luftë, politikë dhe në krijimin e shtetit të saj, sot përballen me një nga momentet më të rënda të jetës së tyre.

Ndërsa Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës, ndodhet në burg për korrupsion dhe megjithatë vazhdon të sillet sikur posti publik është pronë personale që mund ta marrësh me vete edhe pas hekurave.

Në vend që të kuptojë peshën e momentit dhe modestinë që kërkon një situatë e tillë, ai shpërndan tituj nderi nga qelia. Ky është kontrasti që e bën postimin e tij qesharak.

Hashim Thaçi mund të jetë dënuar me 25 vjet. Veseli me 18. Selimi me 13. Krasniqi me 25. Por këta burra kanë përballuar luftën, në një proces ndërkombëtar, kanë dalë para gjykatës dhe kanë dëgjuar vendimin.

Erion Veliaj ndërkohë ka zgjedhur një tjetër lloj beteje. Betejën e vetme që frikacaku di të bëjë. Të fshihet.

Por tani, nga burgu, ai propozon të dekorojë të dënuarit e Hagës. Është e vështirë të imagjinosh një përmbysje më groteske të roleve.

Katër burra që përballen me historinë e tyre në një gjykatë ndërkombëtare dhe një kryetar bashkie që, nga qelia, vazhdon të sillet sikur historia e Tiranës duhet të kalojë ende nga firma e tij.

Të nderosh dikë është akt i madh kur e bën dikush që ka kuptuar se pushteti nuk është pronë. Por kur titullin e nderit e shpërndan një njeri që nuk pranon të ndahet nga karrigia e vet, edhe kur është në burg, nderi fillon të duket si karikaturë.

Dhe ndoshta kjo është pjesa më therëse e gjithë historisë. Haga u dha katër burrave një dënim. Erion Veliaj u jep një titull nderi. Por në këtë skenë, titulli nuk i madhëron ata. E zvogëlon atë që po e jep. /CNA





Lajmet e fundit nga