Alarm në Moldavi pas raportimit të fluturimit të disa dronëve të paidentifikuar në hapësirën ajrore të vendit, pranë kufirit me Ukrainën.
Policia Kufitare e Moldavisë njoftoi të shtunën se patrullat kishin konstatuar disa mjete fluturuese pa pilot gjatë orëve të para të mëngjesit. Sipas autoriteteve, dy dronë u vërejtën duke fluturuar në hapësirën ajrore moldave përgjatë trajektores Olanesti-Cistovodnoe, në afërsi të kufirit moldavo-ukrainas.
Në të njëjtën periudhë, një tjetër dron u pikas mbi fshatin juglindor Caplani. Sipas Policisë Kufitare, ai kishte ardhur nga drejtimi i Crocmaz-it dhe më pas u largua nga hapësira ajrore e Moldavisë përgjatë trajektores Caplani-Crutoiarovca, në drejtim të Ukrainës.
Pas kontrolleve të përbashkëta të kryera nga autoritetet kufitare moldave dhe ukrainase, në territorin e Moldavisë nuk u konstatuan mbetje të dronëve apo shenja shpërthimi.
Megjithatë, autoritetet ukrainase raportuan më vonë se në territorin e Ukrainës ishte identifikuar një vend shpërthimi, ku ishin gjetur edhe mbetje të paidentifikuara. Zona ndodhej rreth 1.2 kilometra larg kufirit shtetëror, bëri të ditur Policia Kufitare moldave.
Incidenti vjen një ditë pasi, të premten në mëngjes, mbetje të dyshuara të një droni u gjetën në një fushë pranë fshatit Colonita, në komunën e Chișinăut. Banorët e zonës kishin raportuar se kishin dëgjuar një shpërthim të fortë.
Ministria e Jashtme e Moldavisë reagoi të shtunën duke dënuar ashpër incidentin dhe duke e cilësuar hyrjen e paautorizuar në hapësirën ajrore të vendit si një shkelje të sovranitetit.
“Çdo hyrje e paautorizuar në hapësirën ajrore të Republikës së Moldavisë është e papranueshme dhe përbën një shkelje të rëndë të sovranitetit të vendit tonë”, deklaroi Ministria.
Në reagimin e saj, diplomacia moldave e lidhi incidentin me luftën Rusi-Ukrainë, duke paralajmëruar se pasojat e konfliktit po shtrihen përtej territorit ukrainas dhe po ndikojnë edhe në sigurinë e Moldavisë.
“Pasojat e sulmeve ruse ndaj Ukrainës nuk ndalen në kufijtë e saj”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.


