web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Faza 2 e punimeve/ Përfundon realizimi i shtresës asfaltike në segmentin Elbasan-Papër

19 Shtator 2026, 15:42, Aktualitet CNA

Faza 2 e punimeve/ Përfundon realizimi i shtresës asfaltike në

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dhënë një përditësim të situatës së fazës së dytë të punimeve në segmentin rrugor Elbasan-Papër.

Sipas ARRSH-së, punimet për realizimin e shtresës asfaltike kanë përfunduar përgjatë gjithë gjatësisë së projektit.

Ndërkohë bëhet me dije se vijon dhe puna për vendosjen e sinjalistikës horizontale, si një ndër elementët përmbyllës të këtij segmenti.

ARRSH njoftoi po ashtu pak javë më parë se punimet në gjashtë fazat e para të aksit Elbasan–Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII, po shkojnë drejt përfundimit.

Gjashtë lotet e para përfshijnë pjesën e aksit që nis nga Elbasani dhe shtrihet deri në afërsi të Peqinit.  Në total, gjashtë fazat e para mbulojnë rreth 20 kilometra të aksit të ri Elbasan–Rrogozhinë. Sipas objektivave të deklaruar më herët, përfundimi i tyre parashikohet brenda vitit 2026.

Projekti i autostradës Elbasan–Rrogozhinë ka një gjatësi totale prej 40.7 kilometrash. Aksi nis pranë ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, ku parashikohet lidhja me bypass-in e Elbasanit, dhe përfundon në Lekaj, ku bashkohet me autostradën ekzistuese të Korridorit Blu. Traseja kalon në territorin e Elbasanit, Peqinit dhe Kavajës.

Pas përfundimit, aksi do të ketë nga dy korsi në secilin drejtim dhe do të krijojë një lidhje të re me standarde të larta rrugore përgjatë Korridorit VIII. Sipas dokumenteve të projektit, shpejtësia e lejuar në segmente të ndryshme të autostradës parashikohet të jetë nga 90 deri në 140 kilometra në orë.

Elbasan–Rrogozhinë është pjesë e Korridorit VIII, një prej korridoreve kryesore të transportit që zhvillohet në drejtimin lindje–perëndim. Nga Elbasani, korridori vijon drejt Qafë-Thanës, ku paralelisht po ndërtohen edhe segmente të tjera të këtij aksi strategjik. /CNA





Lajmet e fundit nga