Nga Lushnja dhe Tirana për të shitur drogë në Laç, arrestohen dy të rinjtë (EMRAT)

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Destinacioni”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
Gabriel Malasi 28 vjeç, banues në Lushnjë dhe dhe Skerdi Kaloçi, 19 vjeç, banues në Tiranë.
Këta shtetas dyshohet se ushtronin veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytetin e Laçit.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar këta shtetas në lagjen nr. 6, Laç, ku, gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin, iu gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në 80 doza, të gatshme për shitje.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas siguronin lëndën narkotike kokainë dhe më pas e ndanin në doza, me qëllim shpërndarjen e saj në qytetin e Laçit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, 1 automjet dhe 4 aparate celulare.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.




